Klubet italiane po e nisin me vështirësi edicionin 2026/27 të Champions League. Pas dy javëve të para të fazës së ligës, Inter, Napoli, Roma dhe Como kanë marrë vetëm katër pikë në total, një bilanc që ua ndërlikon ndjeshëm objektivin për të siguruar një vend mes tetë skuadrave më të mira.
Aktualisht, situatën më të mirë e ka Como me tri pikë, ndërsa Roma ka marrë vetëm një. Inter dhe Napoli ende nuk kanë arritur të fitojnë asnjë pikë, duke hyrë kështu në një fazë ku çdo ndeshje e mbetur merr peshë të madhe.
Sipas përllogaritjeve të publikuara nga mediat italiane, në dy edicionet e fundit janë dashur 16 pikë për të mbyllur fazën e ligës në tetëshen e parë, çka sjell kualifikim direkt në fazën e 1/8-ave. Me vetëm katër pikë të mbledhura deri tani, ekipet e Serie A e kanë ngushtuar ndjeshëm hapësirën për gabime, edhe pse deri në fund kanë ende 18 pikë në lojë.
As statistikat nuk flasin në favor të tyre. Në dy sezonet e fundit, vetëm dy skuadra ia kanë dalë të shkojnë në play-off-in e fazës me eliminim direkt pasi i kishin humbur dy ndeshjet e para: Milan në sezonin 2024/25 dhe Benfica në 2025/26.
Java e ardhshme sjell prova të rëndësishme për përfaqësuesit italianë. Të martën, Napoli luan në shtëpi ndaj Bodo/Glimt, ndërsa Roma përballet me Slovan Bratislava. Të mërkurën, Como pret Manchester United, ndërsa Inter do të ketë përballë Shakhtar Donetsk.
Kalendari i ndeshjeve të mbetura
Inter: Shakhtar Donetsk (shtëpi), Feyenoord (jashtë), Stuttgart (shtëpi), Borussia Dortmund (jashtë), Liverpool (shtëpi), Slovan Bratislava (jashtë).
Napoli: Bodo/Glimt (shtëpi), Porto (jashtë), Manchester City (jashtë), Club Brugge (shtëpi), Sabah (jashtë), Viking (shtëpi).
Roma: Slovan Bratislava (shtëpi), Manchester United (jashtë), PSG (jashtë), Sporting (shtëpi), AEK Athens (jashtë), Lille (shtëpi).
Como: Manchester United (shtëpi), Lens (jashtë), AEK Athens (shtëpi), Real Betis (jashtë), PSG (shtëpi), Barcelona (jashtë).