Breogan regjistroi humbjen e parë të sezonit në Endesa League, pasi u mposht në transfertë nga MoraBanc Andorra me rezultatin 108:102, në ndeshjen e javës së katërt.
Skuadra e Breogan e nisi më mirë takimin dhe pas dhjetë minutave të para la përshtypjen se ishte në rrugën e duhur për një tjetër fitore. Megjithatë, vijimi i ndeshjes foli në favor të vendasve, që fituan tre çerekët e mbetur dhe përmbysën gjithçka deri në fund.
Një nga lojtarët më të dalluar te Breogan ishte Mihajlo Andric, i cili e mbylli sfidën me 18 pikë. Kontribut dha edhe Aleksandar Aranitovic me tetë pikë, tre kërcime dhe dy asistime.
Shënuesi më i mirë i Breogan ishte Alonso me 24 pikë, ndërsa Bolton shtoi 19. Pas tij u rendit Andric me 18 pikë, ndërsa Brown e përfundoi ndeshjen me 12 pikë.
Te skuadra fituese, më efikasi ishte Kuric me 26 pikë. Best kontribuoi me 17, McGriff realizoi 16, Okoye shtoi 13, ndërsa Dos Anjos e mbylli sfidën me 11 pikë.
Për Breogan kjo ishte humbja e parë e sezonit dhe tani ka bilanc 3-1. Në anën tjetër, MoraBanc Andorra arriti fitoren e parë kampionale dhe pas katër javësh ka rekord 1-3.