Arsenal do të duhet t’i përballojë pa Max Dowman tri ndeshjet e ardhshme në garat vendase. Futbollisti 16-vjeçar mbetet i pezulluar për përballjet me Liverpool, Hull dhe Newcastle, pasi ankesa e klubit nuk solli ndryshim të vendimit.
Klubi kërkoi rishikimin e kartonit të kuq të drejtpërdrejtë dhe uljen e dënimit, por komisioni i pavarur i hodhi poshtë të dyja pretendimet. Federata Angleze e Futbollit konfirmoi se pezullimi prej tri ndeshjesh mbetet në fuqi.
Ndëshkimi erdhi pas një incidenti me Harrison Neal në sfidën e Kupës së Ligës kundër Fleetwood Town. Pas një ndërhyrjeje të ashpër të kundërshtarit, e cila mbeti e pandëshkuar, Dowman reagoi duke e goditur me këmbë.
Arbitri Michael Salisbury e përjashtoi menjëherë talentin e Arsenal për sjellje të dhunshme. Pikërisht ky vendim dhe ashpërsia e masës disiplinore ishin objekt i ankesës së klubit.
Për Arsenal, pezullimi i Dowman i shtohet zhgënjimit të eliminimit nga Kupa e Ligës. Fleetwood Town, skuadër e kategorisë së katërt angleze, shkaktoi surprizën duke nxjerrë jashtë kampionët e Premier League pas goditjeve të penalltive.