Aris vijon pa humbje në EuroCup. Skuadra greke fitoi bindshëm në transfertën ndaj Rostock, 110:79, duke regjistruar suksesin e katërt në katër ndeshje dhe duke mbajtur vendin e parë në grupin A.
Neno Dimitrijevic ishte ndër protagonistët e sulmit të ekipit të drejtuar nga Vassilis Spanoulis. Ai e mbylli takimin me 17 pikë, dy kërcime dhe katër asistime, në një mbrëmje ku disa lojtarë të Aris dhanë kontribut të rëndësishëm.
Jeremiah Robinson-Earl spikati me një dopietë prej 21 pikësh dhe 10 kërcimesh, ndërsa Matt Morgan shtoi 20 pikë. Ritmi i lartë i miqve u pasqyrua gjatë gjithë takimit: Aris shënoi të paktën 25 pikë në secilën çerek, duke realizuar 58 në pjesën e parë dhe 52 në të dytën.
Përveç fitores së thellë, skuadra greke mori edhe një lajm pozitiv me rikthimin e Stefan Jovic pas dëmtimit. Ai luajti 12 minuta dhe regjistroi dy asistime.
Rostock nuk arriti të gjente zgjidhje për të frenuar sulmin kundërshtar. Todd Withers ishte shënuesi më i mirë i vendasve me 22 pikë, i ndjekur nga Zach Copeland me 15, por kontributi i tyre nuk mjaftoi për të shmangur humbjen me 31 pikë diferencë.