Australia mbetet në majën e regbit botëror me 13 lojtarë. Përfaqësuesja e meshkujve siguroi titullin e katërt radhazi në Kupën e Botës, duke mposhtur Zelandën e Re me rezultatin 32-12 në finale.
Fitorja u ndërtua që në pjesën e parë, kur australianët shënuan katër prova dhe morën kontrollin e takimit. Liam Martin hapi serinë brenda tre minutave të para, duke ia vështirësuar menjëherë sfidën kundërshtarit.
Jack Bostock shtoi një tjetër provë brenda 20 minutave të para, ndërsa Bradman Best shënoi dhjetë minuta para pushimit. Martin e çoi sërish topin përtej vijës kundërshtare para mbylljes së pjesës së parë. Në këtë epërsi ndikoi ndjeshëm edhe Reece Walsh, depërtimet e të cilit krijuan vazhdimisht probleme për mbrojtjen e Zelandës së Re.
Pas pushimit, Tom Trbojevic vazhdoi serinë e Australisë. Zelandës së Re i dha një përgjigje Isaiah Papali’i, por përpjekja e tij nuk mjaftoi për të ndryshuar rrjedhën e finales.
Fjalën e fundit e tha Bostock, i cili realizoi një tjetër provë tre minuta para përfundimit. Ai vulosi suksesin 32-12 dhe një tjetër festë botërore për Australinë.