Përgatitjet për ndeshjen e Kupës së Gjermanisë mes Rot-Weiss Essen dhe RB Leipzig u shoqëruan me një incident në stadiumin Hafenstrasse. Hyrja e rezervuar për tifozët miq u gjet e bllokuar me beton, duke detyruar organizatorët të ndërhynin për ta bërë sërish të kalueshme.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, veprimi u krye nga tifozë të Rot-Weiss Essen. Autorët kishin derdhur beton në një kornizë druri që lidhte dy kanatet e portës, duke penguar hapjen e saj.
Pranë hyrjes ishte lënë edhe mesazhi: “Demat duhet të qëndrojnë jashtë”, një referencë ndaj skuadrës së Leipzig.
Organizatorët kërkuan menjëherë ndihmën e një firme vendase ndërtimi. Ndërhyrja përfundoi disa orë para takimit, ndërsa zëdhënësi i klubit sqaroi për mediat lokale se pengesa ishte hequr brenda dy orësh dhe e cilësoi ngjarjen një shqetësim të përkohshëm.
Për duelin e së martës, të vlefshëm për raundin e dytë të Kupës së Gjermanisë, priten rreth 500 mbështetës të Leipzig. Rot-Weiss Essen, që garon në kategorinë e tretë, pret në shtëpi skuadrën e Bundesligës.
Deri tani nuk ka raportime për persona të ndaluar në lidhje me bllokimin e hyrjes së sektorit mik.