Futbolli që po luan Como e ka bindur Josip Brekalo se skuadra mund të synojë shumë lart. Lojtari i Hertha Berlin veçon bashkatdhetarin Martin Baturina si një nga futbollistët që mund t’i japin shtysë një projekti me ambicie deri te titulli kampion në Itali.
I pyetur nëse mesfushori mund ta udhëheqë Como drejt trofeut, Brekalo fillimisht është përgjigjur me buzëqeshje se kjo mbetet për t’u parë. Megjithatë, ai ka shprehur besim te aftësitë e Baturina dhe ka vlerësuar qasjen moderne të trajnerit Cesc Fàbregas. Për 28-vjeçarin, kënaqësia nga paraqitjet e mesfushorit ka edhe një anë personale: Baturina është mik i afërt i vëllait të tij, me të cilin ka luajtur te Dinamo Zagreb.
Vlerësime të larta Brekalo ka rezervuar edhe për Luka Modric, të cilin e konsideron shembull për të gjithë futbollistët kroatë. Sipas tij, ndikimi i fituesit të Topit të Artë shkon përtej trofeve dhe lidhet edhe me këshillat e profesionalizmin e përditshëm. Pikërisht për këtë arsye, vazhdimësia e Modric në nivele të larta me Milan nuk e befason.
Në planin personal, objektivi i Brekalo është rikthimi në kombëtaren kroate. Paraqitja e tij e fundit me përfaqësuesen daton në tetor të vitit 2023 dhe më pas ai mbeti jashtë Evropianit 2024 dhe Botërorit të fundit. Paraqitjet pozitive me Hertha Berlin i japin shpresë se mund të fitojë sërish një vend në skuadrën e drejtuar nga Slaven Bilic.
Brekalo e pranon se ndërrimi i brezave është një proces i vështirë, por mbetet optimist për të ardhmen e futbollit kroat. Tetë vjet pas medaljes së argjendtë në Botërorin e Rusisë, kombëtarja vazhdon të mbështetet te përvoja e Modric, Ivan Perisic, Mateo Kovacic, Mario Pasalic dhe Andrej Kramaric. Humbjen 7-0 ndaj Anglisë ai e sheh si një mbrëmje katastrofike, jo si pasqyrë të potencialit të skuadrës, duke veçuar si kundërpeshë reagimin dhe lojën ndaj Spanjës.
Duke iu kthyer periudhës së tij në futbollin italian, te Torino dhe Fiorentina, Brekalo është ndalur veçanërisht te ish-shoku i skuadrës Andrea Belotti. Sulmuesi ka shënuar shtatë gola në shtatë ndeshje me Modena në Serie B këtë sezon, një ecuri që kroati e ka pritur me kënaqësi.
Sipas Brekalo, të dy kaluan periudha të vështira pas largimit nga Torino. Për këtë arsye, fakti që Belotti ka rigjetur vazhdimësinë para portës e gëzon veçanërisht, edhe pse sulmuesi tashmë luan në kategorinë e dytë italiane.