Celtic mbetet pa pikë në fazën e ligës të Europa League, pasi humbi 2-1 në shtëpi ndaj Celta-s, megjithëse kaloi i pari në avantazh. Dy gola të Javi Rodríguez brenda tre minutash përmbysën ndeshjen në Glasgow dhe e lanë skuadrën skoceze me tri humbje në po aq takime. Në renditje, pas saj ndodhet vetëm Ararat-Armenia, për shkak të golavarazhit më të dobët.
Vendasit e nisën me shpresë pjesën e dytë në Celtic Park. Në minutën e 47-të, Mika Baur shfrytëzoi një top të larguar keq nga mbrojtja për të zhbllokuar rezultatin. Më pas, Liam Scales iu afrua golit të dytë, por goditja e tij me kokë u ndal në traversë.
Celta reagoi në minutën e 68-të, kur Rodríguez mposhti Sam Johnstone me një goditje të fortë me kokë pas një goditjeje dënimi. Vetëm tre minuta më vonë, ai shënoi sërish nga afër dhe vulosi përmbysjen. Celtic nuk arriti të kthente përgjigje, ndërsa diferenca në prodhimin sulmues ishte e dukshme: miqtë regjistruan 22 tentativa kundrejt tetë të vendasve, të cilët provuan vetëm dy herë pasi kaluan në disavantazh.
Baur nuk kërkoi justifikime pas takimit. “Me mënyrën si luajtëm në 30 minutat e fundit, e merituam humbjen. Nuk mund ta shpjegoj pse ndodhi. Përballë kishim një skuadër të mirë, që mund të shënojë, por më pas duhet të rimarrim kontrollin, ta mbajmë më gjatë topin dhe t’ia ndalim vrullin”, deklaroi autori i golit të Celtic.
Pavarësisht situatës së vështirë, Baur këmbënguli se besimi te kualifikimi nuk është shuar. “Çfarë tjetër na mbetet? Sigurisht që besojmë. Na duhen pikë. Kaq”, ishte mesazhi i tij. Megjithatë, statistikat tregojnë përmasat e vështirësive: Celtic ka pësuar katër humbje radhazi në Evropë, një seri që nuk i ndodhte që prej periudhës tetor–dhjetor 2017. Në 16 ndeshjet e fundit në kompeticionet kryesore evropiane, e ka mbajtur portën të paprekur vetëm në fitoren 1-0 në transfertë ndaj Stuttgart, në shkurt, në Europa League.
Trajneri Martin O’Neill e cilësoi traversën e Scales si një nga çastet vendimtare, duke vlerësuar se një epërsi 2-0 do t’i kishte sjellë tri pikët skuadrës së tij. Ai kundërshtoi edhe rrjedhën e aksionit që solli goditjen e dënimit të barazimit, pasi, sipas tij, më parë duhej të ishte akorduar një faull në favor të Celtic.
“Barazimi na tronditi dhe u dha atyre shtysë. Kemi humbur tri ndeshje, por ende kemi mundësi të kalojmë më tej. Duhet të fitojmë si në shtëpi, ashtu edhe në transfertë. Duhet të gjejmë mënyrën për të fituar ndeshje evropiane”, theksoi O’Neill.