E ardhmja e Alessandro Bastonit mund të kthehet në një çështje të rëndësishme merkatoje për verën e vitit 2027. Chelsea po shfaqet si klubi anglez më i interesuar për mbrojtësin e Inter, ndonëse futbollisti nuk ka vendosur të largohet nga Milano.
Përfaqësuesit e italianit po shqyrtojnë mundësitë për vazhdimin e karrierës dhe raportohet se kanë zhvilluar bisedime me klubin londinez. Chelsea thuhet se ka dërguar edhe vëzhgues për ta ndjekur 27-vjeçarin gjatë fitores së fundit të Italisë ndaj Francës me rezultatin 3-1.
Profili i Bastonit vlerësohet si i përshtatshëm për mbrojtjen e Xabi Alonsos. Ai luan me këmbën e majtë, e administron me siguri topin nën presion dhe ka përvojë të konsiderueshme në rreshtimet me tre qendërmbrojtës.
Inter, nga ana tjetër, synon ta mbajë edhe përtej vitit 2028, kur përfundon kontrata e tij aktuale. Nëse palët nuk arrijnë marrëveshje për rinovimin, vera e vitit 2027 mund të jetë momenti kur klubi të shqyrtojë një shitje. Vlerësimi i raportuar për kartonin e tij është rreth 70 milionë paund.
Situatën po e ndjek edhe Liverpool, që është në dijeni të zhvillimeve rreth mbrojtësit. Megjithatë, pas investimeve te lojtarë më të rinj në atë repart, përforcimi i qendrës së mbrojtjes nuk konsiderohet aktualisht një nevojë aq urgjente për klubin.
Për Chelsea, marrëveshja me Inter do të ishte vetëm një pjesë e operacionit. Bastoni ndihet mirë në Milano dhe, sipas raportimeve, përfaqësuesit e tij kërkojnë që trajneri i klubit të ardhshëm ta mbështesë plotësisht transferimin. Vetëm mundësia për të luajtur në Premier League nuk mjafton për ta bindur të ndryshojë skuadër.