Daniel Farke beson se Leeds la dy pikë në “Elland Road” pas barazimit 1:1 ndaj Manchester United në Premier League. Trajneri gjerman vlerësoi se skuadra e tij ishte më e mirë në pjesën më të madhe të takimit, por nuk pati saktësinë e duhur në momentet vendimtare për ta mbyllur ndeshjen me fitore.
Manchester United kaloi i pari në avantazh me Bryan Mbeumo, ndërsa baraspeshën për Leeds e vendosi Dominic Calvert-Lewin. Megjithatë, sidomos në pjesën e dytë, ekipi vendas u shfaq më kërcënues dhe krijoi më shumë situata të rrezikshme përpara portës kundërshtare.
Edhe treguesit statistikorë mbështesin idenë se Leeds ishte më afër fitores. Vendasit regjistruan 12 goditje kundrejt 13 të Manchester United, por diferenca u pa te cilësia e rasteve: xG i Leeds ishte 1.44, ndërsa ai i miqve 0.91. Nga kjo vlerë, 1.18 erdhën nga goditjet standarde, një tregues i qartë i epërsisë fizike që Leeds pati në shumë momente të sfidës.
Farke veçoi si momente kyçe rastet e humbura pas intervalit nga Ao Tanaka, Noah Okafor dhe Anton Stach. “Ne ishim skuadra dominuese sot, por fatkeqësisht nuk arritëm ta shpërblejmë plotësisht këtë, sepse na mungoi cilësia pranë zonës së kundërshtarit”, deklaroi trajneri i Leeds pas ndeshjes.
Ai komentoi edhe qasjen taktike të rivalit, pasi Harry Maguire kishte theksuar se Manchester United ishte përpjekur t’i përgjigjej skemës 3-4-3 të Leeds. Sipas Farke, kjo tregon respektin që skuadra e tij ka fituar. Ai kujtoi se Leeds mbetet i pamposhtur në shtëpi dhe ka pësuar shumë pak humbje në tre vitet e fundit.
Tekniku gjerman shtoi se ekipi ka arritur në një nivel ku një barazim ndaj Manchester United lë shije zhgënjimi. “Kjo tregon sa larg kemi ardhur, që ndihemi pak të zhgënjyer sepse morëm vetëm një pikë kundër Manchester United. Në përgjithësi, nuk kishte arsye të ishim në disavantazh në pushim, por gjithsesi ky është Manchester United dhe ata kanë cilësi të jashtëzakonshme individuale në sulm”, u shpreh ai.
Me këtë rezultat, Leeds ka shkuar në tre ndeshje radhazi pa humbje ndaj Manchester United në Premier League, me një fitore dhe dy barazime. Kjo është seria e tyre më e mirë ndaj “Djajve të Kuq” në këtë kompeticion, duke barazuar ecurinë e arritur mes shtatorit 1994 dhe dhjetorit 1995. Ndërkohë, Calvert-Lewin shënoi golin e tij të 12-të në shtëpi me fanellën e Leeds në Premier League; që nga debutimi i tij në “Elland Road”, vetëm Erling Haaland me 19 dhe Igor Thiago me 14 kanë realizuar më shumë gola në shtëpi në kampionat.
Vetë sulmuesi theksoi se skuadra nuk u ndikua nga parashikimet para takimit, edhe pse shumëkush, përfshirë edhe superkompjuterin e Opta-s, e konsideronte Leeds favorit përballë një Manchester United në formë jo të mirë. “Ishte e rëndësishme të mos i kushtonim shumë rëndësi asaj. Ata mbeten një skuadër e fortë me shumë cilësi. Kjo është pjesë e futbollit. Dëgjon shumë gjëra dhe sheh çfarë thuhet, por si lojtarë jemi mësuar me këtë dhe më e rëndësishmja është të përqendrohesh te ndeshja”, tha Calvert-Lewin.