Ferrari po përgatit debutimin e paketës së katërt aerodinamike për sezonin 2026, e cila pritet të shfaqet në Çmimin e Madh të SHBA-së në Austin. Bëhet fjalë për ndërhyrjen më të rëndësishme të deritanishme te SF-26, por njëkohësisht edhe për paketën e fundit të këtij niveli, pasi në Maranello një pjesë e madhe e vëmendjes po kalon tashmë te projekti i makinës për sezonin e ardhshëm.
Arsyeja lidhet me ndryshimet që priten në projektin pasues, i cili do të ndërtohet mbi baza ndryshe si në aspektin rregullator, ashtu edhe në zgjidhjet themelore aerodinamike. Për Austin, Ferrari ka planifikuar ndërhyrje në disa zona të makinës, përfshirë dyshemenë, sidepod-et dhe pjesën e sipërme të karrocerisë.
Ndryshe nga disa rivalë direktë, skuadra italiane nuk ka zgjedhur një ndryshim radikal të konceptit te sidepod-et. Ferrari ka vendosur të ruajë arkitekturën bazë të SF-26 dhe të përpunojë drejtimin aktual të zhvillimit. McLaren dhe Mercedes kanë bërë kohët e fundit ndërhyrje më të thella në këtë zonë, duke ndryshuar formën dhe menyrën se si qarkullon ajri përgjatë trupit anësor të makinës, por informacionet në dispozicion sugjerojnë se rezultatet në pistë nuk kanë pasqyruar menjëherë atë që ishte parë në tunelin e erës dhe në simulimet CFD.
Për këtë arsye, Ferrari ka preferuar një qasje më të kujdesshme, me synim optimizimin e paketës ekzistuese pa rishkruar tërësisht karrocerinë. Objektivi kryesor mbetet ulja e rezistencës aerodinamike, një pikë ku SF-26 vazhdon të ketë mangësi, sidomos në kushtet kur motori konsiderohet më pak i fuqishëm se ai i disa kundërshtarëve. Ekipi po përpiqet kështu të nxjerrë maksimumin nga baza aktuale, duke balancuar fitimin në performancë me burimet që ia vlen të investohen në këtë fazë.
Paketa e re do të shoqërohet edhe me ndryshime te hapjet e ftohjes, në mënyrë që nxjerrja e ajrit të nxehtë të përshtatet me gjeometrinë e re të sidepod-eve. Ndërkohë, për garën pasuese në Meksikë po përgatiten konfigurime shtesë të ftohjes, me hapje më të mëdha për shkak të kushteve specifike që krijon lartësia e madhe mbi nivelin e detit.
Ferrari analizoi edhe zgjidhje më agresive
Kjo nuk do të thotë se në Maranello nuk janë shqyrtuar alternativa më të guximshme. Gjatë fazës së zhvillimit janë testuar në tunelin e erës variante të ndryshme me gjeometri të ndryshme dhe ide të reja për karrocerinë, pjesërisht edhe me syrin nga projekti i vitit 2027. Mes koncepteve të analizuara ka qenë edhe qasja e Red Bull te sidepod-et, ku elementi strukturor që lidh dyshemenë me karrocerinë merr edhe funksion aerodinamik.
Sipas këtij konfigurimi, kalimi mes mbajtëses strukturore dhe sipërfaqes së sidepod-it lejon një formë më agresive, duke rikthyer efektin e kanaleve që drejtojnë rrjedhën e ajrit drejt pjesës së pasme të makinës. Megjithatë, Ferrari ka vendosur të mos shpenzojë një pjesë të madhe të burimeve për një transformim kaq të gjerë te SF-26. Vlerësimi i skuadrës ka qenë se, në këtë pikë të sezonit, përmirësimi i paketës ekzistuese sjell më shumë leverdi sesa hapja e një drejtimi krejtësisht të ri zhvillimi.