Ekipet izraelite nuk do të rikthehen ende në vendin e tyre për ndeshjet si vendase në garat e FIBA Europe. Bordi vendosi të ruajë detyrimin për të luajtur në fusha neutrale, ndërsa la të pandryshuar edhe statusin dhe kufizimet që zbatohen ndaj ekipeve nga Rusia dhe Bjellorusia.
Vendimet u morën në mbledhjen e 20 nëntorit në Hamburg, të organizuar nga Federata Gjermane e Basketbollit. Takimin e drejtoi presidenti i FIBA Europe, Jorge Garbajosa, me pjesëmarrjen e presidentit të FIBA, Sheikh Saud Ali Al Thani, sekretarit të përgjithshëm Andreas Zagklis dhe drejtorit ekzekutiv për Evropën, Kamil Novak.
Një tjetër çështje ishte krijimi i një federate të re të basketbollit në Britaninë e Madhe. Grupi i punës i FIBA do të vijojë angazhimin në bashkërendim me UK Sport dhe përfaqësuesit e basketbollit britanik. Bordi miratoi gjithashtu propozimin për të aplikuar në programin Erasmus+ me projektin “Hand Off”, i cili synon të tërheqë, të trajnojë dhe të mbajë aktivë gjyqtarët e basketbollit në Evropë.
Në shqyrtim kaluan edhe raportet për garat evropiane të klubeve, kualifikueset e Kupës së Botës 2027 për meshkuj dhe të EuroBasket 2027 për femra, si dhe parakualifikueset e EuroBasket 2029 për të dyja kategoritë. Po ashtu, u miratua pjesa më e madhe e organizatorëve të kampionateve evropiane të të rinjve për vitin 2027.
Për vitin 2028 u konfirmua se EuroBasket U18 për meshkuj do të zhvillohet në Tallinn të Estonisë, nga 29 korriku deri më 6 gusht, ndërsa kampionati U16 për meshkuj do të mbahet në Oradea të Rumanisë, nga 11 deri më 19 gusht. Yerevan i Armenisë do të presë kampionatin U20 për femra të Divizionit B, nga 1 deri më 9 korrik. Tulcea e Rumanisë do të organizojë EuroBasket U18 për femra nga 5 deri më 13 gusht 2028, si dhe edicionin e vitit 2029.
Garbajosa vlerësoi organizimin e garave verore të të rinjve dhe zgjatjen e marrëveshjes me Zaragoza për turneun përfundimtar me gjashtë ekipe të EuroLeague për femra, për periudhën 2028–2030. Nga ana e tij, Zagklis dha vlerësim pozitiv për Kupën e Botës 2026 për femra në Berlin, duke veçuar praninë e publikut dhe prodhimin televiziv.
Bordi analizoi edhe edicionin e FIBA Masters Open në Athinë, ku morën pjesë pothuajse 1.000 basketbollistë mbi moshën 45-vjeçare. Turneu i ardhshëm i kësaj gare do të zhvillohet në Munich në vitin 2027.