Filip Radovic ka kurorëzuar rrugëtimin e tij në Botërorin e parapingpongut me medaljen e artë. Përfaqësuesi i Malit të Zi fitoi finalen ndaj francezit Matéo Bohéas me rezultatin 3:1 në sete, duke u ngjitur në shkallën më të lartë të podiumit.
Finalja nisi me një set të luftuar, të cilin Radovic e mbylli në favorin e tij me 11:9. Bohéas reagoi fuqishëm dhe barazoi shifrat pas fitores 11:2 në setin e dytë, por malazezi rimori kontrollin. Me 11:7 dhe 11:4 në dy setet pasuese, ai vulosi titullin botëror.
Prova më e vështirë për kampionin e ri kishte ardhur në çerekfinale. Përballë kundërshtarit nga Tajpei Kinez, Radovic pati nevojë për pesë sete për të siguruar kualifikimin me 3:2. Më pas, në gjysmëfinale, kaloi kinezin Lian Hao me 3:1.
Bohéas kishte ndalur më herët një tjetër përfaqësues të Malit të Zi, Luka Bakic. Megjithatë, në ndeshjen vendimtare francezi nuk arriti ta përsëriste suksesin ndaj Radovic, i cili e mbylli turneun me trofeun më të rëndësishëm.
Medalja e artë botërore pasuron një karrierë që përfshin edhe katër medalje në kampionatet evropiane. Radovic ka fituar gjithashtu dy medalje paralimpike, në Tokio dhe në Paris.
Në nivel klubesh, ai luan për Crvena zvezda, me të cilën fitoi titullin kampion sezonin e kaluar. Tashmë këtij suksesi i shtohet edhe kurora individuale botërore me fanellën e përfaqësueses së Malit të Zi.