Formula 1 mund të ndryshojë ndjeshëm pamje në ciklin e ardhshëm teknik. FIA po shqyrton një paketë që ndërthur përmasa më të vogla, ulje të peshës dhe sisteme shtytëse më të thjeshta, me rikthimin e motorëve V8 mes çështjeve kryesore në tryezë. Objektivi është që makinat të peshojnë sërish më pak se 700 kilogramë, një kufi që nuk është arritur që prej vitit 2016.
Pesha minimale aktuale është 768 kilogramë, pasi rregullorja e vitit 2026 solli një ulje prej 30 kilogramësh krahasuar me ciklin e mëparshëm. Drejtori i FIA-s për makinat njëvendëshe, Nikolas Tombazis, beson se një reduktim i mëtejshëm mund të realizohet pa cenuar sigurinë. Sipas analizave të federatës, nga afërsisht 200 kilogramë të shtuar gjatë dy dekadave të fundit, vetëm rreth 40 lidhen drejtpërdrejt me masa sigurie, si sistemi halo dhe përforcimet e shasisë.
Një pjesë e madhe e kursimit do të kërkohet te njësia shtytëse. Edhe pse blloku V8 do të ishte disi më i madh se ai V6, presioni më i ulët i turbos dhe thjeshtimi i sistemeve të thithjes e shkarkimit mund të ulin peshën. Po shqyrtohet gjithashtu një rol më i kufizuar i pjesës elektrike, me bateri më të vogël dhe një MGU-K më kompakt, që sipas Tombazis mund të vendosej anash motorit për ta thjeshtuar instalimin.
Ndryshimet mund të prekin edhe përmasat e makinave dhe rrotat. FIA po vlerëson disqe më të vogla se ato aktuale prej 18 inçësh, por jo rikthimin te madhësia 13 inç e përdorur deri në vitin 2021. Kalimi te rrotat më të mëdha në vitin 2022 vlerësohet se shtoi rreth 25 kilogramë. Një makinë më e lehtë do të ulte edhe ngarkesat mbi komponentët e tjerë, duke lejuar elemente aerodinamike më pak të rënda. Tombazis llogarit se vetëm ulja e peshës mund të sjellë përfitim prej 2,5 deri në 3 sekonda për xhiro, hapësirë që më pas mund të shfrytëzohet për të reduktuar aerodinamikën dhe për të përmirësuar sjelljen e gomave, pa ndryshuar kohët për xhiro.
Ndërkohë, rikthimi i furnizimit me karburant gjatë garës gjen pak mbështetje si te skuadrat, ashtu edhe te FIA. Përveç kostove dhe shqetësimeve për sigurinë, Tombazis vlerëson se kjo do të kufizonte mundësitë për të ndryshuar strategjinë gjatë garës, pasi ndalesat në bokse do të kushtëzoheshin më shumë nga karburanti. Për të ruajtur efikasitetin e motorëve V8, në diskutim mbetet mbajtja e një forme të mbushjes me turbo. Vendim përfundimtar nuk ka, ndërsa nevoja e mundshme për 20 deri në 25 kilogramë karburant shtesë pritet të kompensohet ndjeshëm nga lehtësimi i pjesës tjetër të makinës.
Konsultimet me skuadrat, prodhuesit dhe pilotët kanë nisur, me synimin që rregullat e reja të zbatohen më së voni në vitin 2031. Presidenti i FIA-s, Mohammed Ben Sulayem, kërkon që kuadri bazë të dakordësohet deri në fund të vitit. Një marrëveshje e tillë mund të hapte rrugën për hyrjen në fuqi që në vitin 2030, por kjo mbetet një mundësi negociimi dhe jo një datë e konfirmuar. Edhe pse pret kompromise, veçanërisht për kostot, Tombazis beson se objektivi për të zbritur nën 700 kilogramë mbetet i arritshëm.