Futbolli spanjoll mund të përballet me një fundjavë pa ndeshje, pasi Shoqata e Futbollistëve Spanjollë (AFE) kërkoi pezullimin e përkohshëm të aktivitetit në shenjë zie për Jesús de Miguel. Kërkesa përfshin të gjitha takimet e parashikuara në vend nga 3 deri më 9 nëntor dhe u është drejtuar federatës spanjolle, La Liga dhe UEFA-s.
La Liga po shqyrton mundësinë e shtyrjes së javës së 12-të të kategorisë së parë dhe javës së 13-të të kategorisë së dytë. Deri tani nuk është marrë një vendim përfundimtar, ndërsa përgjigjja pritet të mërkurën ose të enjten. Futbollistët e konsiderojnë humbjen e kolegut të tyre një moment që kërkon ndërprerjen e garave.
Sulmuesi 30-vjeçar i Tenerife vdiq të hënën pas një përplasjeje me portierin e Andorra, Jesús Owono, në minutat shtesë të takimit të kategorisë së dytë. Gjatë daljes nga porta, Owono e goditi me gju në kraharor dhe De Miguel pësoi arrest kardiak.
Ekipi mjekësor ndërhyri në fushë për ta reanimuar, përpara se futbollisti të transportohej në spital, ku ndërroi jetë. Ndeshja u ndërpre, ndërsa portieri Owono u ndëshkua me karton të kuq të drejtpërdrejtë.
Një shtyrje e gjerë e takimeve vështirësohet nga kalendari i ngjeshur dhe detyrimet kontraktuale ndaj televizioneve e sponsorëve. Në diskutime po merren parasysh edhe penalitetet e mundshme financiare që mund të sjellë ndryshimi i programit.
Ndërkohë, federata spanjolle ka shtyrë ndeshjet e Kupës së Mbretit dhe Kupës së Mbretëreshës të planifikuara për të martën. Takimet e garave evropiane të zhvilluara në Spanjë nisën me një minutë heshtje, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar nëse homazhet do të pasohen edhe nga ndalimi i kampionateve.