Nikola Jokic dha sërish sinjale se është gati për një tjetër sezon të madh në NBA. Qendra serbe ishte ndër emrat më të dalluar në suksesin bindës 121:106 që Denver arriti në shtëpi ndaj Los Angeles Lakers, në ndeshjen e fundit parasezonale.
Jokic e mbylli takimin me 17 pikë, gjashtë kërcime dhe tetë asistime, ndërsa kontribuoi edhe me dy topa të vjedhur. Në aspektin e saktësisë në gjuajtje, ai ishte pothuajse i pagabueshëm, duke humbur vetëm një tentativë nga loja. Për dy pikë realizoi 4 nga 4 gjuajtje, ndërsa për tre pikë shënoi 3 nga 4.
Megjithatë, pas ndeshjes nuk u fol më shumë për statistikat e tij, por për një moment që rrëmbeu menjëherë vëmendjen. Në tranzicion, Jokic dhuroi një asistim pas shpine që hutoi plotësisht mbrojtjen e Lakers dhe rikujtoi edhe një herë pse konsiderohet mes basketbollistëve më krijues të ligës.
Aksioni nisi nga Jamal Murray, i cili ia dorëzoi topin Jokic. Më pas, pa asnjë hezitim, serbi e vazhdoi lojën me një pasim pas shpine drejt Treyvon Brazile, që e pati të lehtë ta mbyllte aksionin me pikë.
Pikërisht kjo lëvizje u bë momenti më i komentuar i mbrëmjes dhe mori jehonë edhe nga kanalet zyrtare të NBA, ku asistimi i Jokic u veçua si një tjetër perlë nga repertori i tij.
Me këtë fitore, Denver la përshtypje pozitive në prag të nisjes së sezonit të ri, ndërsa Jokic tregoi qartë se do të mbetet edhe këtë edicion një nga figurat kryesore të kampionatit.