Novak Djokovic vazhdon të mbetet konkurrues në nivelin më të lartë, edhe pse po i afrohet moshës 40-vjeçare. Triumfi i tij i fundit në turneun e Pekinit ka rikthyer diskutimet për jetëgjatësinë e karrierës së tij dhe për atë se deri ku mund të arrijë ende.
Edhe pse u eliminua herët në Mastersin e Shangait, sezoni i tenistit serb nuk konsiderohet i mbyllur. Vetë Djokovic ka bërë të ditur se edhe vitin e ardhshëm do të jetë pjesë e turneve Grand Slam, duke treguar se synimet e tij mbeten të larta.
Për të ardhmen e tij ka folur edhe Yevgeny Kafelnikov, legjenda ruse e tenisit dhe fitues i medaljes së artë olimpike në vitin 2000. Ai është shprehur i bindur se Djokovic mund të vazhdojë të luajë deri në Lojërat Olimpike të Los Angeles në vitin 2028.
Kafelnikov vlerëson se Djokovic ka mundësi reale të përmirësojë edhe më tej shifrat e tij në numrin e titujve. Sipas tij, serbi pritet ta kalojë Roger Federer në këtë aspekt, megjithëse theksoi se nuk do ta ketë aspak të lehtë të fitojë edhe shtatë trofe të tjerë.
“Djokovic ka 102 tituj. Besoj se do ta kalojë Federerin, por do ta ketë të vështirë të fitojë edhe shtatë të tjerë”, deklaroi Kafelnikov.
Ish-numri një rus u shpreh i mahnitur nga niveli që Djokovic po ruan në këtë fazë të karrierës. Ai veçoi sukseset e fundit të serbit në Pekin, ku arriti të mposhtë Alexander Zverev dhe Daniil Medvedev, duke nënvizuar se është e rrallë të shohësh një tenist të kësaj moshe që dominon ndaj kundërshtarëve shumë më të rinj.