Kriza e rezultateve për Miomir Kecmanovic vazhdon pa ndërprerje. Tenisti serb e mbylli aventurën e tij në turneun e Almaty që në raundin e parë, pas humbjes ndaj James Duckworth në dy sete, 6:4 dhe 6:3.
Shifrat e fundit flasin qartë për momentin që po kalon Kecmanovic. Hera e fundit kur ai arriti të lidhte dy fitore radhazi ishte në mesin e muajit qershor, në turneun e Mallorca, ndërsa që prej asaj kohe nuk ka gjetur vazhdimësinë e dëshiruar.
Në setin e parë, tenisti serb pati mundësi reale për ta orientuar sfidën në kah tjetër. Ai krijoi tre raste për break, por Duckworth arriti t’i menaxhojë mirë momentet delikate dhe ta mbajë shërbimin.
Vendimi i setit të parë erdhi në fund, kur australiani realizoi break në game-in e fundit dhe kaloi në epërsi 1:0. Kjo i dha atij avantazhin psikologjik dhe kontrollin e ndeshjes.
As seti i dytë nuk nisi mirë për Kecmanovic, i cili humbi menjëherë game-in e parë në shërbim. Edhe pse reagoi në game-in e pestë duke rikuperuar një break dhe duke hapur sërish llogaritë e takimit, kthesa nuk zgjati shumë.
Në game-in pasues, Duckworth goditi sërish me një tjetër break dhe më pas e administroi ndeshjen pa probleme deri në fund. Me këtë fitore, ai siguroi kalimin në raundin tjetër, ndërsa Kecmanovic mbetet ende në kërkim të formës së duhur.