Një mesazh ngushëllimi ishte arsyeja e përqafimit mes Joshua Kimmich dhe Niko Kovac gjatë derbit Borussia Dortmund–Bayern, të përfunduar 2:2. Mesfushori iu afrua trajnerit kundërshtar në pjesën e parë për ta falënderuar personalisht për mbështetjen pas vdekjes së papritur të babait të tij, Berthold, në moshën 57-vjeçare.
Për kapitenin e Bayern, kjo ishte ndeshja e parë pas tragjedisë familjare, që e kishte mbajtur jashtë tri takimeve të mëparshme. Pas përballjes, ai shpjegoi për Sky Sport gjestin pranë vijës anësore: “Më dërgoi një mesazh gjatë javës. Kjo kishte vërtet shumë rëndësi për mua. Prandaj e falënderova”.
Kimmich dhe Kovac kishin punuar së bashku te Bayern për rreth një vit e gjysmë, gjatë periudhës 2018–2019. Trajneri kroat tregoi në konferencën për shtyp se i kishte shprehur ngushëllimet sapo kishte mësuar lajmin dhe se futbollisti i ishte përgjigjur. Derbi u dha mundësinë të takoheshin edhe personalisht. “Për mua është krejt normale të përshëndetemi dhe të përqafohemi. Ishte një gjest njerëzor nga të dy dhe mendoj se ashtu duhej të ishte”, tha Kovac.
Pas ndeshjes, Kimmich foli për herë të parë publikisht për humbjen dhe vështirësinë e rikthimit në përditshmëri. “Kam kaluar një javë shumë, shumë të vështirë. Jam i lumtur që jam sërish në fushë. Nuk ishte e lehtë, por kur luan, të paktën për një çast harron gjithçka”, u shpreh përfaqësuesi gjerman.
Ai falënderoi Bayern, Federatën Gjermane të Futbollit dhe të gjithë ata që i kishin qëndruar pranë familjes së tij. Prania e shumë njerëzve në ceremoninë mortore e kishte prekur veçanërisht. Babain e kujtoi si një mbështetje të vazhdueshme në karrierë, i cili besonte tek ai edhe kur vetë kishte dyshime për aftësitë e tij.
Mbështetja nga kundërshtarët nuk u kufizua te Kovac. Pas vërshëllimës së fundit, Kimmich u përqafua edhe me Nico Schlotterbeck, mbrojtësin e Dortmundit dhe shokun e tij në kombëtaren gjermane.