Besiktas doli fitues në derbin e madh ndaj Galatasaray MCT Technic, të vlefshëm për javën e katërt të Superligës turke në basketboll, duke regjistruar suksesin e dytë në kampionat.
Një nga emrat kryesorë të mbrëmjes ishte Furkan Korkmaz, i cili e mbylli takimin me 18 pikë dhe ishte lojtari më efikas i ndeshjes. Pas sfidës, basketbollisti i Besiktas theksoi se skuadra ka kaluar një periudhë të lodhshme, por mbeti i kënaqur me reagimin në një duel kaq të rëndësishëm.
“Kjo ishte një javë vërtet e vështirë për ne. Ndeshjet e shumta janë shumë të lodhshme dhe si ekip ende po përshtatemi me këtë ritëm. Megjithatë, mendoj se zhvilluam një ndeshje që i shkonte një derbi të tillë. Nëse me lojën time ndihmova që ekipi të fitojë, atëherë jam shumë i lumtur”, deklaroi Korkmaz.
Ai shtoi se Besiktas e kishte të qartë që para fillimit peshën e madhe të përballjes dhe rëndësinë që kishte kjo ndeshje për ekipin.
“E dinim sa i rëndësishëm ishte ky takim dhe kemi folur për këtë edhe në dhomat e zhveshjes. Për shkak të kalendarit të ngjeshur nuk kemi shumë hapësirë për stërvitje, ndaj shpesh harmonizohemi gjatë vetë ndeshjeve. Sot e menaxhuam mirë këtë situatë dhe shpresoj ta vazhdojmë në të njëjtën mënyrë”, u shpreh ai.
Fitorja në derbi i jep shtysë Besiktas në vazhdimësinë e kampionatit, ndërsa Korkmaz beson se skuadra mund të ruajë të njëjtin ritëm edhe në ndeshjet e ardhshme.