Illia Kovtun u ngjit në podiumin e Kampionatit Botëror të gjimnastikës në Rotterdam, duke i dhuruar Kroacisë një medalje argjendi. Ky ishte suksesi i tij i parë individual nën flamurin kroat, pas një karriere me rezultate të rëndësishme për Ukrainën.
Në finalen e kalit me doreza, Kovtun u vlerësua me 14,900 pikë. Përpara tij u rendit vetëm kampioni olimpik kinez Zou Jingyuan, ndërsa medaljen e bronztë e fitoi rusi Daniel Marinov.
Megjithatë, medalja e re është shoqëruar me rikthimin e debatit për ndryshimin e përfaqësueses. Një pjesë e bashkatdhetarëve e kanë cilësuar tradhtar, duke e kritikuar për largimin nga Ukraina në kohë lufte. Me përfaqësuesen ukrainase, Kovtun kishte fituar tri tituj europianë dhe medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike të Parisit më 2024.
Sipas gjimnastit, ndarja nuk lidhej vetëm me rrethanat e luftës. Ai ka shpjeguar se marrëdhëniet me federatën ukrainase të gjimnastikës ishin përkeqësuar prej kohësh dhe se mosmarrëveshjet e përsëritura, së bashku me komunikimin e dobët, çuan në ndërprerjen e bashkëpunimit.
Fillimi i luftës e gjeti Kovtun në një garë në Gjermani. Më pas, ai zgjodhi Osijekun si bazë për stërvitjet dhe përgatitjen për garat. Gjimnasti ka deklaruar se nuk është kthyer në Ukrainë prej katër vjetësh dhe se vendimin për të ardhmen e tij e ka marrë vetë.
Kovtun thotë se i kupton emocionet e bashkatdhetarëve dhe gjendjen e rëndë në vend, por nuk pranon që kritikat të zbehin kontributin e tij sportiv. Ai kujton se për tre vjet garoi për Ukrainën në kushtet e luftës, duke fituar vazhdimisht medalje, dhe këmbëngul se dha maksimumin për flamurin ukrainas. Akuzat, sipas tij, nuk e ndryshojnë zgjedhjen që ka bërë.