Lazio po ndjek me vëmendje gjendjen e lojtarëve të dëmtuar përpara ndeshjes së të shtunës kundër Lecces në “Olimpico”. Shpresat për rikthime lidhen me Davide Frattesi dhe Mattia Zaccagni, ndërsa Nuno Tavares do të duhet të presë më gjatë për t’u kthyer në fushë.
Skuadra romane e mbylli periudhën para pushimit të kombëtareve në krye të Serie A. Tani, rifillimi i kampionatit e vë përballë Lecces, një kundërshtar që po kalon vështirësi në rezultate.
Kontrollet mjekësore të Frattesit kanë përjashtuar një dëmtim të muskulit, duke evidentuar një tërheqje. Mesfushori mbetet në diskutim për takimin e së shtunës dhe vendimi për aktivizimin e tij do të merret në varësi të ecurisë gjatë ditëve të ardhshme.
Frattesi shënoi për Italinë në fitoren 3-1 ndaj Francës në “San Siro”, në Nations League. Megjithatë, shqetësimi muskulor e detyroi të largohej nga grumbullimi, pa udhëtuar me kombëtaren drejt Belgjikës.
Sinjale pozitive ka edhe për Zaccagnin, i cili mungoi në grumbullimin e Italisë për shkak të një dëmtimi në kuadricepsin e majtë. Ekzaminimi i fundit ka treguar përmirësim dhe sulmuesi mund t’u rikthehet stërvitjeve me intensitet të plotë në ditët në vijim.
Ndryshe paraqitet situata e Tavaresit. Pas dëmtimit që e detyroi të dilte duke çaluar nga përballja me Napolin, ai vazhdon programin e fizioterapisë. Te Lazio parashikojnë që mungesa e tij të zgjasë edhe rreth tri javë.