Liverpool po vlerëson me kujdes hapat e radhës në merkato për repartin e mesfushës, ndërsa në listën e klubit vazhdon të mbetet lart edhe emri i Alex Scott. Mesfushori i Bournemouth pëlqehet shumë në “Anfield”, por realizimi i një marrëveshjeje shihet si mjaft i vështirë për shkak të shifrave që po qarkullojnë.
Sipas raportimeve, Bournemouth kërkon më shumë se 100 milionë paund për kartonin e lojtarit anglez. Madje, në disa vlerësime thuhet se një marrëveshje e plotë mund të shkojë deri në 110-115 milionë paund, çka e ka detyruar Liverpoolin të analizojë alternativa të tjera në treg.
Një prej profileve që po konsiderohet seriozisht është Felix Nmecha i Borussia Dortmund. Futbollisti gjerman është ndjekur edhe më parë nga klube të Premier League, mes tyre Manchester United dhe Chelsea, por ai qëndroi në Gjermani dhe më pas firmosi një kontratë të re me Borussia Dortmund.
Pavarësisht kësaj, Liverpool nuk e ka hequr nga vëzhgimi 26-vjeçarin. Brenda strukturës së rekrutimit në “Anfield”, Nmecha vlerësohet si një lojtar i nënvlerësuar, me potencial për të dhënë ndikim të menjëhershëm në skuadër.
Një tjetër element që e bën pistën interesante është fakti se lojtari shihet si i hapur për një rikthim në futbollin anglez. Ai ka kaluar 12 vite në akademinë e Manchester City, ndaj ambienti i Premier League nuk do të ishte i panjohur për të.
Edhe pse Borussia Dortmund e konsideron lojtarin jashtë tregut, raporti thekson se një ofertë rreth 90 milionë euro mund ta vendoste klubin gjerman përballë një vendimi të vështirë.