Luis Enrique e ka bërë të qartë se Paris Saint-Germain duhet mbi të gjitha të kufizojë ndikimin e Lamine Yamal, nëse dëshiron të marrë një rezultat pozitiv ndaj Barcelonës në supersfidën e së martës në “Parc des Princes”, në Champions League.
Barcelona mbërrin në këtë përballje në formë të jashtëzakonshme. Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick i ka fituar nëntë ndeshjet e para në La Liga dhe kryeson me pesë pikë diferencë. Katalanasit kanë realizuar 39 gola në nëntë javët e para, shifra e dytë më e lartë në historinë e kampionatit në këtë fazë, pas Sevilla të sezonit 1940-41 me 42.
Në qendër të vëmendjes është pikërisht Yamal. Fundjavën e kaluar ai shënoi një gol dhe dha një asist ndaj Betis në fitoren 5-2, duke e çuar në 19 numrin e përfshirjeve direkte në gola këtë sezon në të gjitha garat, me nëntë gola dhe 10 asiste. Në Champions League, 19-vjeçari ka regjistruar një gol dhe katër asiste në dy ndeshje, duke u bërë lojtari më i ri që lidh dy sfida radhazi me të paktën nga dy asiste.
“Mënyra më e mirë për ta ndalur Lamine Yamal është t’ia marrësh topin Barcelonës. Nëse ai nuk e merr topin, gjithçka bëhet më e qetë. Do të ishte ideale, por e dimë se nuk është e lehtë, sepse është e vështirë të luash kundër Barcelonës dhe kundër Lamine Yamal. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mbrohemi si ekip. Por nuk është vetëm ai, janë edhe Raphinha, Pedri dhe shumë lojtarë të tjerë të nivelit të lartë”, deklaroi trajneri i PSG-së.
Spanjolli nuk deshi të shkonte shumë larg edhe me krahasimet mes Yamal dhe Lionel Messi, një temë që është përmendur shpesh që nga debutimi i talentit të ri me Barcelonën. Sipas tij, Yamal duhet të mbetet vetvetja dhe jo të peshohet tani përballë lojtarit që ai e cilësoi si më të mirin e të gjitha kohërave.
Kjo do të jetë ndeshja e 17-të mes PSG dhe Barcelona në kupat e mëdha europiane. Bilanci i klubit francez ndaj katalanasve është gjashtë fitore, katër barazime dhe gjashtë humbje. Historikisht, kjo është një përballje që prodhon gola, me një mesatare prej 3.8 golash për ndeshje, ndërsa vetëm dueli Ajax-Bayern ka mesatare më të lartë mes çifteve që janë përballur të paktën 10 herë në European Cup ose Champions League.
Nga njëra anë, Barcelona ka shënuar katër ose më shumë gola në katër ndeshje radhazi në fazën e ligës ose të grupeve të këtij kompeticioni, rekord në historinë e turneut. Nga ana tjetër, PSG vjen pa humbje në 12 ndeshjet e fundit në Champions League, me tetë fitore dhe katër barazime. Luis Enrique pranoi edhe lidhjen e fortë emocionale me Barcelonën, por theksoi se tani objektivi i vetëm është fitorja me klubin parisien.