Java e 12-të e Bundesligës gjermane të hendbollit solli dy përballje të forta, me Magdeburg dhe Füchse Berlin që dolën fitues. Magdeburg siguroi vendin e parë pas suksesit të thellë 37:29 ndaj Flensburg, ndërsa skuadra berlineze triumfoi 28:25 kundër Kiel, në një takim që e zgjidhi me përmbysje.
Fillimi i derbit i takoi Flensburg, që kaloi në avantazh 4:2, por vendasit reaguan shpejt dhe morën kontrollin. Skuadra e Bennet Wiegert shkoi në pushim me epërsinë 20:14 dhe në pjesën e dytë nuk i la kundërshtarit hapësirë për ta rihapur ndeshjen.
Protagonisti kryesor i fitores ishte Ómar Ingi Magnússon, autor i 14 golave, shtatë prej të cilëve nga vija e shtatëmetrave. Felix Claar kontribuoi me gjashtë gola, ndërsa Gísli Kristjánsson dhe Daniel Pettersson shtuan nga pesë. Për Flensburg, Simon Pytlick realizoi dhjetë herë dhe Aymeric Minne shtatë.
Për Magdeburg ishte fitorja e nëntë radhazi ndaj Flensburg në ndeshjet zyrtare. Njëkohësisht, skuadra e zgjati në 31 numrin e fitoreve të njëpasnjëshme në shtëpi në Bundesligë.
Në Berlin, Kiel e mbylli pjesën e parë në avantazh 14:12 dhe vazhdonte të kryesonte 20:19 në mesin e pjesës së dytë. Mbrojtja më e fortë e Füchse Berlin ndryshoi rrjedhën e takimit: vendasit krijuan shkëputjen vendimtare dhe në minutën e 53-të udhëhiqnin 26:21, përpara se ta mbyllnin sfidën me tri gola diferencë.
Mathias Gidsel udhëhoqi sulmin e berlinezëve me nëntë gola, i ndjekur nga Tobias Grøndahl me gjashtë dhe Mijajlo Marsenic me pesë. Peshë të rëndësishme në sukses pati edhe portieri Lasse Ludwig, me 15 pritje. Te Kiel, shënuesi më i mirë ishte Lukas Zerbe me katër gola.