Malaysia po e shqyrton seriozisht mundësinë që pista e Sepang të rikthehet në mënyrë të përhershme në kalendarin e Formula 1. Interesi është rritur pas garës së këtij viti, e cila u zhvillua si zëvendësim për ndalesën e planifikuar fillimisht në Bahrain dhe mori vlerësime të mira si nga tifozët, ashtu edhe nga pilotët.
Sipas raportimeve, në diskutim është edhe një formulë me termin rotativ, model që tashmë përdoret në raste të caktuara edhe në pista të tjera. Megjithatë, përpara çdo hapi konkret, autoritetet në vend duan të bëjnë një analizë të plotë financiare dhe organizative.
Organizimi i një fundjave të Formula 1 mbetet një operacion i kushtueshëm, por në rastin e garës së këtij viti pjesa më e madhe e shpenzimeve është mbuluar nga Bahrain, pasi eventi i vitit 2026 në Sepang shërbeu si zëvendësues i terminit të tij fillestar. Sipas shifrave të publikuara, ngjarja ka gjeneruar rreth 233 milionë dollarë.
Ministri i Rinisë dhe Sportit, dr. Mohamed Taufik Johair, ka bërë të ditur në parlament se tashmë kanë nisur bisedimet mes FOM dhe kryeministrit të Malaysia, Datuk Seri Anwar Ibrahim. Në përgjigjen me shkrim të dorëzuar në parlament thuhet se fundjava e garës tërhoqi 261 mijë spektatorë në pistë, ndërsa 103 mijë prej tyre ishin të pranishëm në ditën e garës.
Po ashtu, janë shitur mbi 97 mijë bileta, më shumë se 50 mijë turistë kanë mbërritur në vend për këtë aktivitet dhe rreth 5 mijë punëtorë janë angazhuar gjatë organizimit. Taufik ka sjellë edhe një krahasim me vitin 2017, kur ishin shitur rreth 30 mijë bileta, ndërsa këtë herë shifra iu afrua 100 mijëshit.
“Organizimi i Formula 1 nuk është i lirë. Bëhet fjalë për shpenzime të konsiderueshme dhe ka disa elemente të rëndësishme që duhet t’i vlerësojmë me kujdes”, është shprehur Taufik. Sipas njoftimeve, qeveria do të marrë një qëndrim pasi të përfundojë raporti i plotë në muajin nëntor, ku do të peshohen kthimi i investimit, kostot totale dhe kapacitetet infrastrukturore.