Manresa i dha fund pritjes për fitoren e parë në ACB pas një përballjeje që zgjati pothuajse tri orë. Në ndeshjen më dramatike të programit të së shtunës për javën e shtatë, vendasit mposhtën Obradoiro 100-99 pas dy shtesave, duke ndërprerë serinë prej gjashtë humbjesh.
JD Notae udhëhoqi sulmin e Manresa me 33 pikë, ndërsa Ferran Bassas shtoi 21. Për Obradoiro nuk mjaftuan 30 pikët e Joel Soriano: skuadra u largua e mundur nga salla Nou Congost dhe tani numëron tri fitore e katër humbje. Manresa e përmirësoi bilancin në një fitore dhe gjashtë humbje.
Baskonia vijoi ecurinë pozitive në kampionatin spanjoll, duke fituar 98-93 në fushën e Lleida. Skuadra e Perasovic u ngjit në vendin e dytë me pesë fitore dhe dy humbje, menjëherë pas Real Madrid. Paraqitjet në garën vendase mbeten dukshëm më të mira se në EuroLeague, ku bilanci i saj është një fitore dhe nëntë humbje.
Kobi Simmons ishte protagonisti i suksesit të Baskonia me 25 pikë dhe gjashtë asistime, i mbështetur nga Stefan Joksimovic me 15 pikë. Në krahun tjetër, James Batemon realizoi 29 pikë për Lleida, por nuk arriti ta shmangte humbjen e vendasve.
Edhe Girona siguroi një fitore të luftuar, duke kaluar Bilbao me rezultatin 92-87. Mac McClung shënoi 19 pikë dhe Yassel Perez kontribuoi me 13, teksa vendasit arritën suksesin e katërt në shtatë ndeshje. Për Bilbao u dalluan Hilliard me 24 pikë dhe Nate Darling me 21.
Real Madrid kryeson me gjashtë fitore në po aq takime dhe ende nuk e ka zhvilluar ndeshjen e kësaj jave. Pas Baskonia renditen Valencia, Tenerife, Breogan, Zaragoza dhe Barcelona, të gjitha me nga katër fitore dhe dy humbje.
Java e shtatë vazhdon të dielën me Barcelona–Breogan në orën 12:00, Burgos–Valencia në 12:30 dhe Tenerife–Joventut në 13:00. Programi plotësohet me Zaragoza–Unicaja në 17:00, Coruña–Andorra në 18:00 dhe Real Madrid–Murcia në 19:00.