Për Vasilije Micic, Hapoel Tel Aviv nuk është thjesht një ndalesë e radhës në karrierë. Organizatori 32-vjeçar synon të fitojë sërish EuroLeague, këtë herë me klubin izraelit, ku dëshiron edhe të mbyllë rrugëtimin si basketbollist.
Dy herë fituesi i trofeut më të rëndësishëm evropian për klube tregoi se fillimisht kishte kërkuar kontratë katërvjeçare, ndërsa marrëveshja përfundimtare u arrit për tri sezone. Për të, edhe kjo kohëzgjatje ishte dëshmi e vlerësimit që klubi ka ndaj tij. “Dua ta fitoj EuroLeague me Hapoel. Për këtë erdha këtu. Dua gjithashtu ta përfundoj karrierën te Hapoel”, u shpreh Micic, duke shtuar se që nga mbërritja sezonin e kaluar kishte synuar të qëndronte sa më gjatë.
Micic foli hapur edhe për marrëdhënien me trajnerin Dimitris Itoudis. Ai pranoi se jo gjithmonë është i lehtë për të bashkëpunuar dhe se mes tyre ka këndvështrime të ndryshme. Megjithatë, sipas tij, kjo nuk e pengon punën: “Me Itoudis ndonjëherë kemi mendime të ndryshme, por kemi një qëllim të përbashkët. Për sa kohë synojmë të njëjtin objektiv, gjithçka do të jetë në rregull dhe nuk do të ketë përplasje apo probleme”.
Në sezonin aktual, basketbollisti serb ka mesatarisht 14,6 pikë dhe 4,6 asistime për ndeshje. Pavarësisht përvojës me 278 paraqitje në EuroLeague dhe 101 në NBA, ai nuk kërkon me çdo kusht rolin e liderit kryesor. Sipas Micic, këtë pozitë e meriton Elijah Bryant, 31 vjeç, ndërsa përgjegjësia për rezultatet duhet të ndahet mes të gjithë lojtarëve.
Hapoel ka regjistruar gjashtë fitore dhe katër humbje, bilanc që e mban në zonën e play-in. Sfida e ardhshme është derbi ndaj Maccabi Tel Aviv, i cili do të luhet të enjten në Qipro, në kuadër të xhiros së 11-të të EuroLeague.
Përballja me rivalin e qytetit nuk sjell presion shtesë për Micic. Ai e konsideron çdo ndeshje të rëndësishme dhe thotë se edhe derbit do t’i qaset me të njëjtin qëndrim.