Sergej Barbarez i ka hapur dyert e kombëtares së Bosnjë-Hercegovinës një prej talenteve më premtuese të vendit. Matej Deket, sulmuesi 17-vjeçar i Borac, është grumbulluar për herë të parë me përfaqësuesen e të rriturve për dy sfidat e nëntorit në Nations League: transfertën kundër Suedisë më 14 nëntor dhe përballjen me Rumaninë në Zenica, tri ditë më vonë.
Ftesa vjen pas një tjetër arritjeje të rëndësishme në nivel klubesh. Javën e kaluar, Deket shënoi kundër skuadrës finlandeze KuPS dhe, në moshën 17 vjeç e 21 ditë, u bë golashënuesi më i ri i sezonit aktual në Conference League. Tashmë, në grumbullimin e kombëtares do të jetë edhe përkrah Kerim Alajbegovic, të cilit më herët i kishte thyer rekordin si debutuesi më i ri në përfaqësuesen e të rinjve.
I formuar te Borac, sulmuesi debutoi me ekipin e parë më 5 tetor 2025, kundër Rudar Prijedor, vetëm katër ditë pas ditëlindjes së tij të 16-të. Golin e parë si profesionist e realizoi në shkurt të këtij viti ndaj Zrinjski. Sezonin debutues në elitën e futbollit të Bosnjë-Hercegovinës e mbylli me pesë gola dhe një asistim në 21 ndeshje.
Borac e siguroi të ardhmen e tij në korrik, duke i zgjatur kontratën deri në verën e vitit 2029. Në atë kohë, Deket e përshkroi klubin si dashurinë e parë dhe familjen e dytë, duke treguar se që fëmijë kishte ëndërruar të luante me skuadrën e parë dhe të fitonte trofe me të. Aftësitë e tij shënuese ishin dalluar edhe te moshat, ku realizoi 23 gola në vetëm 13 takime të kampionatit vendas për kadetë.
Deket ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te Bosnjë-Hercegovina U17. Megjithëse kishte interes nga federata të tjera, në dhjetor 2024 ai bëri të ditur se, së bashku me prindërit, kishte zgjedhur të përfaqësonte vendin ku jetojnë. Ftesa e Barbarez shënon tani një etapë të re në këtë rrugëtim.
Paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendje edhe jashtë vendit. Në fillim të tetorit, gazeta britanike The Guardian e përfshiu në listën “Next Generation” me 60 prej futbollistëve më të talentuar në botë, duke veçuar këmbën e majtë dhe nuhatjen për gol. Karriera e sulmuesit të ri menaxhohet nga menaxheri kroat Andy Bara.
Ndërkohë, krahasimet me Edin Dzeko janë bërë pjesë e pritshmërive që e shoqërojnë. Vetë kapiteni i Bosnjë-Hercegovinës i dërgoi në korrik një videomesazh, ku e inkurajonte të vazhdonte të stërvitej me përkushtim. Tani Deket ka mundësinë të bëjë hapin e parë në kombëtaren ku shumëkush e sheh si një pasardhës të mundshëm të sulmuesit veteran.