Një polemikë rreth Kylian Mbappé ka prekur transmetimin e futbollit spanjoll në Kinë. Televizioni shtetëror CCTV nuk shfaqi asnjë ndeshje të La Liga gjatë fundjavës së kaluar dhe hoqi nga aplikacioni i tij përmbajtjet që lidheshin me Real Madrid.
Në qendër të reagimeve është një intervistë ku sulmuesi francez foli për memet e tij të preferuara në internet. Ai përmendi një fotomontazh me fytyrën e vet mbi trupin e një personi që e cilësoi si “diktator kinez”. Mbappé nuk e përmendi me emër Mao Zedong, por në imazh paraqitej pikërisht ish-udhëheqësi kinez.
Pasojat u shtrinë edhe në marrëdhëniet tregtare. Disa kompani kineze ndërprenë marrëveshjet e sponsorizimit, ndërsa CCTV ndaloi transmetimin e reklamave ku shfaqej futbollisti.
Kufizime vendosi edhe Migu, partneri ekskluziv digjital i La Liga në Kinë. Platforma vijoi të transmetonte shumicën e takimeve, por hoqi nga oferta ndeshjen e Real Madrid. Gjithashtu, u fshinë video të mëparshme me gola dhe paraqitje të Mbappé.
Sulmuesi kërkoi falje në frëngjisht, kinezisht dhe anglisht. Për zgjidhjen e situatës ndërhynë edhe Real Madrid dhe drejtuesit e kampionatit spanjoll. Presidenti i La Liga, Javier Tebas, i dërgoi një letër zyrtare Grupit Mediatik të Kinës, ndërsa klubi madrilen theksoi në ndjesën e tij respektin e thellë për Kinën.
Autoritetet kineze dhe mediat shtetërore kanë konfirmuar marrjen e shkresave. Megjithatë, ende nuk është bërë e ditur nëse ndjesat janë pranuar dhe nuk ka një njoftim se kur ndeshjet mund të rikthehen në programin e CCTV.