Giorgos Printezis nuk do të jetë pjesë e garës për drejtimin e federatës greke të basketbollit. Ish-basketbollisti i Olympiacos ka bërë të ditur se është kontaktuar për të marrë një rol aktiv në drejtim, por e ka refuzuar propozimin për shkak të lidhjes së fortë me klubin e Pireut.
Gjatë një bisede në podkastin “EuroLeague Legends”, të publikuar të hënën në YouTube, 41-vjeçari e cilësoi interesimin si nder. Megjithatë, ai shpjegoi se pas 22 vitesh identifikimi me një klub, nuk e sheh veten si figurën e duhur për të përfaqësuar të gjithë basketbollin e vendit.
“Si mund të paraqitesha në OAKA, përpara 20 mijë tifozëve të Panathinaikos, si president i federatës, kur prej 20 vitesh më lidhin me rivalin e tyre? Thjesht nuk më duket e drejtë”, u shpreh Printezis.
Përtej përkatësisë sportive, ai theksoi edhe kërkesat që shoqërojnë një përgjegjësi të tillë. Sipas tij, dëshira për të ndihmuar nuk mjafton: drejtimi i federatës kërkon përvojë të posaçme dhe një ekip të gjerë për të përballuar punën e përditshme.
Zgjedhjet në federatën greke janë caktuar për më 20 dhjetor, pas skandalit të manipulimit të ndeshjeve dhe ryshfetit që solli largimin e presidentit të mëparshëm, Vangelis Liolios.
Printezis nuk është i vetmi emër i njohur që ka zgjedhur të qëndrojë jashtë garës. Panagiotis Giannakis e ka përjashtuar më herët kandidimin, ndërsa Panagiotis Fasoulas tashmë e ka konfirmuar kandidaturën.