Federatat kombëtare duhet të marrin një rol më të madh në administrimin e infrastrukturës sportive, në vend të dhënies së objekteve me koncesione afatgjata private. Këtë qëndrim shprehu ministri i Sportit i Maqedonisë së Veriut, Borko Ristovski, i cili paralajmëroi edhe rikonstruksionin e pistës së patinazhit dhe të pishinës në kompleksin Kale të Shkupit. Të dyja objektet janë rikthyer nën përgjegjësinë e shtetit pas ndërprerjes së kontratës me koncesionarin.
Gjatë një interviste televizive, Ristovski argumentoi se përvoja me koncesionet 20 deri në 30-vjeçare ka nxjerrë probleme në përmbushjen e detyrimeve dhe në shfrytëzimin e mjediseve për veprimtari sportive. Sipas tij, kalimi i administrimit te federatat duhet të shoqërohet me aftësi për mirëmbajtjen e objekteve dhe me përgjegjësi për funksionimin e tyre. Ky model zbatohet tashmë te pishina Partizan në Karposh, e administruar nga federata kombëtare e notit, dhe te palestra Rasadnik, që i është dorëzuar federatës së hendbollit të vendit.
Një zgjidhje tjetër është parashikuar për palestrën Makedonija në Prilep. Pas prishjes së marrëveshjes së koncesionit, Ministria planifikon rikonstruksion të plotë të saj dhe më pas dorëzimin te Komuna e Prilepit. Pushteti vendor do të marrë përsipër mirëmbajtjen dhe përdorimin e mëtejshëm të objektit.
Në bilancin e ndërhyrjeve të përfunduara, ministri përmendi pistat e reja të atletikës në Veles dhe Gjevgjeli, si dhe palestrat e rinovuara në Novo Selo, Radovish dhe Rasadnik të Shkupit. Punimet në palestrën e kompleksit të Universitetit të Shkupit vazhdojnë, ndërsa për objektet në Dellçevë dhe Prilep është paralajmëruar nisja e rikonstruksionit. Gjithashtu, ka filluar procedura për tri palestra të reja, dy në Shkup dhe një në Krushevë.
Ristovski foli edhe për gjashtë pishinat e mbyllura, ndërtimi i të cilave ishte nisur nga ish-Agjencia për Rini dhe Sport. Sipas tij, Ministria ka përfunduar objektet që kishin mbetur të papërfunduara prej vitesh. Mes projekteve të rëndësishme u veçua edhe pishina e mbyllur në Ohër.
Ministri theksoi se ringritja e qendrave me traditë sportive kërkon fillimisht kushte të përshtatshme stërvitjeje. Ngrohjen, ftohjen dhe dhomat e rregullta të zhveshjes i cilësoi si parakushte për afrimin e fëmijëve me sportin dhe për arritjen e rezultateve të nivelit të lartë. Biseda përfshiu edhe punën e Ministrisë gjatë dy viteve e gjysmë të fundit, financimin shtetëror, kriteret e ndarjes së fondeve dhe përgatitjen e ligjit të ri për sportin.