Mesazhi kundër dhunës ndaj grave në stadiumet italiane këtë herë synon të bashkojë fushën me tribunat. Në javën e 12-të të Serie A, edhe tifozët ftohen për herë të parë të vendosin një shenjë të kuqe në fytyrë, duke iu bashkuar futbollistëve, trajnerëve dhe zyrtarëve të ndeshjeve.
Gjesti është pjesë e fushatës “Karton i kuq dhunës”, të cilën kampionati italian e mbështet për të dhjetën herë. Nisma synon të rrisë ndërgjegjësimin për dhunën në familje ndaj grave dhe ta çojë mesazhin përtej kufijve të fushës së lojës.
Kapitenët e skuadrave do të mbajnë shirita të posaçëm. Ndërkohë, përpara nisjes së takimeve, në stadiume dhe në transmetimet televizive do të shfaqen mesazhe e grafika me etiketën #unrossoallaviolenza.
Presidenti i ligës, Ezio Simonelli, e cilësoi këtë angazhim, të lidhur me Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, si një mundësi për të riafirmuar vendosmërinë kundër çdo forme abuzimi.
Nga WeWorld, organizata që qëndron pas fushatës, theksohet se dhuna nuk duhet trajtuar si një çështje që mbetet pas dyerve të mbyllura. Presidenti i saj, Marco Chiesara, nënvizoi përgjegjësinë kolektive për parandalimin e këtij fenomeni.
Përmes futbollit, organizatorët kërkojnë të arrijnë te një publik sa më i gjerë, veçanërisht te burrat, duke i nxitur të reflektojnë mbi rolin që mund të kenë në parandalimin e dhunës ndaj grave.