Spanja përgatitet për dy sfida me peshë në rrugën drejt Kupës së Botës në basketboll. Trajneri Chus Mateo ka përzgjedhur 15 lojtarë për transfertën ndaj Malit të Zi dhe takimin në shtëpi me Greqinë, duke përfshirë në grup edhe disa emra nga EuroLeague.
Vëmendjen kryesore e tërheq përballja me grekët, e programuar më 29 nëntor në A Coruña. Spanjollët do të kërkojnë të ndryshojnë historinë e takimit të parë në OAKA, ku skuadra e Vassilis Spanoulis triumfoi 108-106 pas një fundi dramatik.
Rëndësia e kësaj ndeshjeje shtohet nga renditja e grupit. Spanja ka pesë fitore dhe tri humbje, ndërsa Ukraina kryeson me bilancin 6-2. Greqia ndodhet në kuotën e katër fitoreve dhe katër humbjeve.
Përpara udhëtimit drejt Spanjës, grekët do të kenë një tjetër provë të rëndësishme: më 26 nëntor presin Gjeorgjinë, e cila, ashtu si përfaqësuesja spanjolle, ka regjistruar pesë fitore dhe tri humbje.
Në listën e Mateos spikatin Juancho Hernangomez i Panathinaikos, Willy Hernangomez i Malaga, Dario Brizuela dhe Joel Parra të Barcelona, si edhe Alberto Abalde i Real Madrid. Të grumbulluar janë gjithashtu Alvaro Cardenas dhe Mario Saint-Supery nga Valencia, si dhe Ferran Bassas nga Manresa.
Grupin prej 15 basketbollistësh e plotësojnë Francis Alonso i Breogan, Jaime Fernandez i Tenerife, Santi Yusta i Efes, Oriol Pauli i Lleida, Alex Reyes i Joventut, Jaime Pradilla i Real Madrid dhe Pierre Oriola i Manresa.