Erik ten Hag e ka rikthyer në vëmendje bashkëpunimin e vështirë me Cristiano Ronaldon te Manchester United, duke e lidhur prishjen e marrëdhënies me kërkesat fizike dhe taktike të ekipit. Në një intervistë për ESPN, ish-trajneri i klubit anglez, tashmë drejtor teknik i Twente, ka mbrojtur qëndrimin e tij dhe ka vlerësuar vendimin e Real Madrid për ta shitur portugezin në vitin 2018.
Sipas holandezit, klubi madrilen e dalloi momentin e rënies së sulmuesit përpara se kjo të bëhej e dukshme për publikun. Ronaldo u largua nga Reali pas nëntë sezonesh, luajti për tre vjet te Juventus dhe në vitin 2021 u rikthye në Old Trafford. Ten Hag pretendon se pas aventurës italiane, ai nuk ishte më në gjendje të përballonte kërkesat e nivelit më të lartë si më parë.
Ten Hag e rendit Ronaldon mes futbollistëve më të mëdhenj të historisë, por thekson se reputacioni nuk e përjashton askënd nga detyrimet ndaj skuadrës. Sipas tij, shokët e ekipit e shihnin portugezin si shembull dhe ishin të gatshëm ta mbështesnin, ndërsa problemi qëndronte te pamundësia e tij për të dhënë atë që kishte ofruar në vitet më të mira.
Trajneri thotë se, që në mbërritjen te Manchester United, ia kishte shpjeguar sulmuesit mënyrën e lojës, rolin e parashikuar dhe pritshmëritë e ndërsjella. Në vlerësimin e tij, Ronaldo nuk kishte më përgatitjen fizike për atë rol dhe nuk mund të stërvitej çdo ditë me intensitetin e nevojshëm. Ten Hag këmbëngul se pa këtë bazë fizike është e vështirë të përballosh nivelin e Premier League, Champions League apo të përfaqësueses portugeze.
Përplasja mes tyre arriti kulmin në tetor të vitit 2022, kur Ronaldo refuzoi të hynte nga stoli kundër Tottenham dhe u largua nga stadiumi përpara përfundimit të ndeshjes. Pas atij episodi, sulmuesi u la përkohësisht jashtë skuadrës.
Një muaj më vonë, në intervistën me Piers Morgan, Ronaldo deklaroi se ndihej i tradhtuar nga Manchester United dhe se nuk kishte respekt për Ten Hag, pasi mendonte se trajneri nuk e respektonte. Palët më pas ndërprenë kontratën me marrëveshje dhe portugezi vazhdoi karrierën te Al Nassr. Ten Hag qëndroi në drejtimin e United deri në tetor të vitit 2024, kur u shkarkua.