Përballja mes Spanjës dhe Anglisë në “Metropolitano” pati edhe një episod tensioni mes Lamine Yamal dhe Elliot Anderson. Sulmuesi i Barcelonës raportohet se iu drejtua me fjalë fyese kundërshtarit, pasi ky i fundit shkaktoi penallti dhe u ndëshkua me karton të kuq.
Gjithçka ndodhi kur anglezët kryesonin 3-0. Yamal i mori topin Quansah dhe u nis i vetëm drejt portierit Trafford, por Anderson e arriti nga pas, e kapi dhe e rrëzoi. Arbitri akordoi penallti dhe e përjashtoi drejtpërdrejt mesfushorin e Anglisë.
Pasi u ngrit nga fusha, Yamal mësohet se i përsëriti disa herë Anderson fjalët “Je budalla, je budalla”. Më pas, sulmuesi spanjoll i kërkoi të largohej më shpejt nga terreni.
Edhe pse mbeti me një lojtar më pak, Anglia arriti ta ruante epërsinë dhe fitoi 3-2. Harry Kane, Ezri Konsa dhe Ben White shënuan golat që i dhanë skuadrës së Thomas Tuchel avantazhin e trefishtë, ndërsa Mikel Oyarzabal dhe Nico Williams rikthyen shpresën te vendasit.
Spanja nuk arriti ta përfundonte përmbysjen, duke e mbyllur me humbje sfidën në Madrid. Takimi ishte i vlefshëm për xhiron e gjashtë dhe të fundit të grupit të tretë në divizionin elitar të Nations League.