Dëshira për të vazhduar së bashku ekziston, por Inter dhe Marcus Thuram duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët për pagën. Sulmuesi francez preferon të qëndrojë te zikaltrit, ndërsa modeli financiar i propozuar për rinovimin nuk e bind.
Kontrata aktuale e Thuram përfundon në vitin 2028 dhe klubi synon ta zgjasë bashkëpunimin edhe për tri sezone. Beppe Marotta dhe Dario Baccin po përgatitin një paketë që ndryshon ndjeshëm nga marrëveshja që lojtari ka sot.
Francezi përfiton aktualisht 6,5 milionë euro në sezon, shumë që me bonuse mund t’i afrohet tetë milionëve, duke e vendosur mes futbollistëve më të paguar të skuadrës. Propozimi i ri parashikon një pagë fikse prej 4,5 deri në pesë milionë eurosh, ndërsa bashkë me bonuset dhe përfitimet shtesë paketa do të arrinte në 6,5 milionë.
Kjo qasje lidhet me politikën e Oaktree për uljen e pagave të lojtarëve që hyjnë në të tridhjetat. Thuram, i cili mbush 30 vjeç në gusht, kërkon të paktën ruajtjen e kushteve aktuale dhe nuk është i kënaqur me uljen e pjesës së garantuar të të ardhurave.
Situata po ndiqet edhe nga klube jashtë Italisë, me vëmendjen te vera e ardhshme. Megjithatë, për sulmuesin përparësi mbetet Inter, ku pesha e tij në skuadrën e Cristian Chivu është rritur edhe më shumë pas dëmtimit të Lautaro Martinez.
Në gjashtë paraqitje në kampionat, Thuram ka shënuar katër gola dhe ka dhënë dy asistime. Vetëm në derbi nuk kontribuoi me gol apo asistim gjatë kësaj serie; ai takim përkon edhe me humbjen e vetme të deritanishme të Inter në Serie A.