Një tjetër mundësi në futbollin italian mund të hapet për Igor Tudor. Trajneri kroat po lidhet me Atalantën dhe Udinesen, dy klube ku e ardhmja e drejtuesve të stolit është vënë në diskutim për shkak të rezultateve të dobëta.
Te Udinese, seria prej shtatë ndeshjesh pa fitore ka shtuar pikëpyetjet për vazhdimësinë e Kosta Runjaic. Gjashtë humbje dhe një barazim kanë nxitur diskutimet për një ndryshim në stol, me Tudor mes alternativave kryesore. Nëse kjo lëvizje konkretizohet, kroati do të rikthehej te një skuadër që e ka drejtuar më parë.
Edhe në Bergamo situata mbetet e tensionuar. Atalanta ka grumbulluar dhjetë pikë në nëntë javët e para të Serie A dhe renditet në vendin e 12-të. Maurizio Sarri është nën presion, ndërsa Tudor shihet si kandidati kryesor për ta zëvendësuar nëse klubi vendos të ndërpresë bashkëpunimin.
Angazhimi i fundit i kroatit ishte te Tottenham dhe zgjati vetëm 44 ditë. Ai mori drejtimin në shkurt të këtij viti, pas shkarkimit të Thomas Frank, por u largua më 29 mars. Bilanci i tij në shtatë takime ishte një fitore, një barazim dhe pesë humbje.
Në momentin e ndarjes, Tottenham mbante vendin e 17-të në Premier League, vetëm një pikë mbi zonën e rënies nga kategoria. Që prej asaj kohe, Tudor nuk ka marrë drejtimin e ndonjë skuadre tjetër.
Edhe aventura e mëparshme te Juventus ishte mbyllur me shkarkim në tetor të vitit 2025, pas tetë ndeshjeve radhazi pa fitore. Megjithatë, përvoja e tij përfshin edhe klube si Lazio, Verona, Marseille, Hajduk, PAOK, Karabükspor dhe Galatasaray, ndërsa Serie A mund të bëhet sërish destinacioni i radhës.