Max Verstappen do ta nisë nga vendi i 15-të garën e GT World Challenge në Portimao, pasi kualifikueset nuk shkuan sipas pritshmërive për ekipin e tij. Holandezi garon së bashku me Chris Lulham dhe Ben Barnicoat, duke shfrytëzuar pushimin mes angazhimeve në Formula 1.
Sesioni i mbrëmjes solli vështirësi të qarta për Mercedes-in e skuadrës së tyre. Makina dukej e vendosur më ulët se shumica e rivalëve dhe gjatë xhirove prodhonte shumë shkëndija, një tregues se set-upi nuk kishte funksionuar siç duhet. Në fund, kjo i mjaftoi vetëm për pozitën e 15-të në një konkurrencë me 61 makina.
Fundjava për Verstappen kishte nisur me tension që në stërvitjen e mëngjesit. Në xhiron e tij të parë, mes trafikut në pistë, ai preku Audi-n e Ezequiel Perez Companc dhe e rrotulloi. Incidenti u shqyrtua nga stewards, por pa sjellë ndonjë ndëshkim.
Më vonë situata u përmirësua disi. Deri në fund të seancës së dytë stërvitore, skuadra e Verstappen ishte ngjitur në vendin e katërt, çka e bëri edhe më zhgënjyes rezultatin e mëpasshëm në kualifikuese.
Ben Barnicoat pranoi se vendi i 15-të nuk është ai që ekipi synonte dhe theksoi se 2 Seas Motorsport gaboi me rregullimet e makinës. Sipas tij, skuadrës i mungoi pak shpejtësi dhe ndryshimet e bëra nuk dhanë efektin e duhur, pasi makina pati shumë shkëndija dhe lëkundje të forta në vijat e drejta.
Gara treorëshe në Portimao zhvillohet të shtunën në orën 17:00 sipas kohës lokale. Nga pole position do të niset Porsche e Boutsen VDS me Dorian Boccolacci, Morris Schuring dhe Alessio Picariello.