Një paraqitje me 52 pikë, 24 kërcime dhe tetë bllokime do të mjaftonte për të kënaqur pothuajse çdo basketbollist, por jo Victor Wembanyama. Francezi ishte vendimtar në suksesin e ngushtë 112-111 të San Antonio Spurs ndaj Dallas Mavericks, megjithatë pas ndeshjes vëmendjen e kishte te gjuajtjet që nuk përfunduan në kosh.
Spurs regjistruan fitoren e pestë radhazi, duke vazhduar reagimin pas dy humbjeve në nisje të sezonit. Wembanyama vendosi rekordin personal të pikëve në karrierë edhe pse po përballej me një virozë, ndërsa në çerekun e fundit ndjeu edhe dhimbje në kyçin e këmbës.
Shifrat e tij ishin të jashtëzakonshme që në pushim: 29 pikë, 15 kërcime dhe pesë bllokime. Që prej vitit 1996, kur nisi regjistrimi i detajuar i aksioneve, askush nuk kishte arritur të paktën 25 pikë, 10 kërcime dhe pesë bllokime brenda një pjese loje.
Francezi realizoi 16 nga 28 gjuajtjet nga loja dhe 19 nga 23 gjuajtjet e lira. Vështirësitë më të mëdha i pati nga distanca, ku shënoi vetëm një treshe në tetë tentativa. Zgjidhjen e gjeti pranë koshit, duke realizuar 14 nga 18 përpjekjet brenda zonës.
“Mund të bëj edhe më shumë. Sonte gjuajtjet nuk po më hynin, ndaj m’u desh të luaja në një mënyrë që të lodh shumë. Tregova se mund t’ia dal edhe kështu, por do të ishte shumë më mirë sikur të shënoja më tepër nga gjuajtjet. E di që është vetëm çështje kohe”, deklaroi Wembanyama.