Williams ka vendosur t’i japë një ngjyrë të veçantë sezonit 2027 në Formula 1. Skuadra britanike konfirmoi se bolidi i atij viti do të quhet FW50, duke kaluar drejtpërdrejt mbi emërtimin FW49, si pjesë e programit për 50-vjetorin e ekipit.
Me këtë jubile, Williams bëhet vetëm skuadra e tretë në historinë e Formula 1 që arrin një përvjetor të tillë, pas Ferrari dhe McLaren. Nuk është hera e parë që ekipi përdor një zgjidhje simbolike në numërtim, pasi edhe në 40-vjetor kishte kaluar nga FW38 direkt te FW40.
Një nga risitë më interesante lidhet me paraqitjen e FW50 në Silverstone. Tifozët do të kenë mundësi të zgjedhin dizajnin e makinës për paraqitjen në British Grand Prix, megjithëse skuadra ende nuk ka bërë të ditur mënyrën se si do të organizohet votimi.
Williams ka një histori të pasur në pistën vendase, ku numëron tetë fitore. Triumfi i parë erdhi në vitin 1979 me Clay Regazzoni, ndërsa fitorja e 100-të e skuadrës u sigurua nga Jacques Villeneuve në vitin 1997.
Pjesa qendrore e festimeve do të jetë ekspozita W50 Live, e cila do të mbahet nga 11 deri më 28 shkurt 2027 në 26 Leake Street, Waterloo në Londër. Në gjashtë hapësira tematike, vizitorët do të mund të shohin nga afër disa prej makinave më të rëndësishme në historinë e ekipit, mes tyre FW06, FW11B, FW14B, FW19 dhe FW38, si edhe një model ekspozues të FW50.
Në sezonin jubilar, në timonin e FW50 do të jenë Alex Albon dhe Carlos Sainz. Albon këtë vit u bë piloti me më shumë nisje në historinë e Williams, pasi në Spanish Grand Prix kaloi rekordin e Nigel Mansell prej 95 paraqitjesh. Ndërkohë, Sainz u bashkua me Mansell dhe Alain Prost si një nga vetëm tre pilotët që kanë garuar për të tria skuadrat që kanë arritur 50 vite në Formula 1.
Williams mbetet një nga emrat më të mëdhenj në historinë e këtij sporti, me nëntë tituj konstruktorësh, shtatë tituj për pilotë dhe 114 fitore në Grand Prix. Titulli i fundit te konstruktorët erdhi në vitin 1997, ndërsa skuadra ka paralajmëruar se në muajt në vijim do të zbulojë edhe aktivitete të tjera në kuadër të festimeve për 50-vjetorin.