Pakënaqësitë e tifozëve për çmimet e biletave e shoqëruan Botërorin 2026, por për FIFA-n turneu mund të ketë sjellë një rritje të jashtëzakonshme të të ardhurave. Sipas informacionit ende të pakonfirmuar zyrtarisht, shitja e biletave ka gjeneruar rreth pesë miliardë dollarë.
Përmasat e kësaj shume bëhen më të qarta nga krahasimi me Botërorin e Katarit. Për turneun e vitit 2022, FIFA raportoi zyrtarisht 929 milionë dollarë të ardhura nga biletat. Nëse shifra e re konfirmohet, arkëtimet nga kjo kategori do të ishin më shumë se pesëfishuar.
Kjo rritje e mundshme financiare vjen në kontrast me reagimet e shumë tifozëve gjatë turneut. Ata i cilësuan biletat si tepër të shtrenjta dhe kritikuan publikisht shumat që duhej të paguanin për t’i ndjekur ndeshjet nga tribunat.
FIFA nuk ka dhënë ende një konfirmim përfundimtar për të ardhurat. E pyetur për këtë çështje, organizata iu referua raportit të saj vjetor, ku pritet të publikohen shifrat zyrtare. Deri atëherë, vlera prej pesë miliardë dollarësh mbetet e pakonfirmuar.
Botërori 2026 shënoi një risi edhe në organizim: për herë të parë në historinë e garës, tri shtete ndanë njëkohësisht rolin e pritësit. Ndeshjet u zhvilluan në SHBA, Kanada dhe Meksikë.