Motoçiklizmi i Maqedonisë së Veriut ka shënuar rezultatin më të lartë të historisë së tij në nivel evropian. Hristijan Buzalkovski e përfundoi sezonin në vendin e dytë të renditjes së përgjithshme në Kampionatin Evropian FIM të motoçiklizmit të shpejtësisë, duke siguruar titullin e nënkampionit.
Arritja e tij u vlerësua edhe nga ministri i Sportit, Borko Ristovski, i cili e priti motoçiklistin dhe e përgëzoi për paraqitjet gjatë sezonit. Në takim u theksua rëndësia e këtij rezultati si për karrierën e Buzalkovskit, ashtu edhe për zhvillimin e motosportit në vend.
Ristovski nënvizoi se suksese të tilla meritojnë vlerësim dhe mbështetje konkrete. Ai bëri të ditur se Ministria do të punojë për të krijuar kushte më të mira për sportistët që përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut në garat ndërkombëtare.
Nga ana e tij, Buzalkovski shprehu mirënjohjen për pritjen dhe për mbështetjen e marrë nga ministri dhe institucioni që ai drejton. Sipas motoçiklistit, kjo përkrahje ka pasur një rol të rëndësishëm në karrierën e tij dhe në rrugëtimin drejt vendit të dytë në Evropë.
Ministria e Sportit rikonfirmoi angazhimin për të vazhduar mbështetjen ndaj sportistëve që, përmes rezultateve të tyre, e promovojnë vendin në arenën evropiane dhe botërore.