ROW E Racing do të përballet me një sfidë të rëndësishme në garën finale të GT World Challenge Europe Endurance Cup në Portimao. Ekuipazhi i BMW-së me numrin 998, i përbërë nga Jens Klingmann, Hugo de Wilde dhe Tim Tramnitz, e mbylli sesionin kualifikues në vendin e pestë të klasës Gold Cup dhe do të niset i 18-ti në renditjen e përgjithshme.
Pavarësisht kësaj nisjeje jo ideale, ROWE Racing mban ende vendin e parë në renditjen e përgjithshme të Gold Cup me 89 pikë. Presioni më i madh vjen nga Garage 59, ku garojnë Tom Fleming, Louis Prette dhe Benjamin Goethe. Ata kanë 86 pikë, vetëm tre më pak se liderët, ndërsa në Portimao do të nisen të dytët në klasë dhe të 11-tët në total me McLaren-in me numrin 58.
Një hap të madh në luftën për titull e bëri edhe Selected Car Racing, që fitoi pol-pozicionin në klasë. Simon Birch, Frederik Schandorff dhe Malthe Ebdrup, falë këtij rezultati, shkuan në kuotën e 79 pikëve dhe do ta nisin garën nga vendi i tetë në renditjen e përgjithshme.
Pikërisht Birch vendosi edhe xhiron më të shpejtë të kualifikueseve, duke ndalur kronometrin në 1:41.652. Ky rezultat e vendos Selected Car Racing seriozisht në garë për një mbyllje të fortë të sezonit në Gold Cup.
Ndërkohë, çështja e titullit të përgjithshëm në Endurance Cup është mbyllur tashmë. Lucas Auer, Maro Engel dhe Luca Stolz e siguruan kampionatin që në garën e Nurburgringut, ndërsa Mercedes-i i tyre me numrin 48 do të niset nga pozita e gjashtë në Portimao.
Gara finale do të zgjasë tre orë dhe është planifikuar për të shtunën, me start në orën 17:00 sipas kohës lokale.