Antonio Cassano mbetet zgjedhja e parë e Francesco Tottit mes futbollistëve me të cilët ndau sulmin e Romës. Në një renditje të bërë në një rrjet social, ish-kapiteni i verdhekuqve e vendosi ish-partnerin e tij mbi disa prej emrave më të njohur që kanë luajtur për klubin.
Pas Cassanos, Totti zgjodhi Vincenzo Montellën dhe Gabriel Batistutën. Më tej në renditjen e tij u pozicionuan Mohamed Salah, Marco Delvecchio dhe Abel Balbo.
Bashkëpunimi mes Tottit dhe Cassanos nisi në vitin 2001 dhe zgjati deri në janar të vitit 2006. Cassano mbërriti nga Bari në moshën 19-vjeçare dhe, krahas cilësive individuale, mirëkuptimi në fushë me Tottin u bë një element i rëndësishëm i lojës së tyre.
Kulmi i kësaj dysheje erdhi gjatë sezonit 2003/04. Së bashku realizuan 34 gola, duke ndihmuar Romën ta përfundonte kampionatin në vendin e dytë. Ai ishte sezoni me rendimentin më të lartë të tyre në të njëjtën fanellë.
Për Tottin, i cili ia kushtoi Romës të gjithë karrierën si profesionist, zgjedhja vjen pas shumë vitesh bashkëpunimi me sulmues të ndryshëm. Këtë herë, në krye të preferencave të tij qëndron Cassano, përpara edhe Batistutës e Salahut.