Me 4.505 gola në 932 ndeshje, aktiviteti i parë botëror i FIFA-s për futbollistët nën 15 vjeç në Baku shërbeu edhe si terren për të provuar rregulla të ndryshme nga futbolli i zakonshëm. Nga 24 deri më 30 tetor, 189 ekipe nga të gjashta konfederatat luajtën në një format eksperimental, të menduar për të nxitur sulmin dhe zhvillimin e lojtarëve të rinj.
Ndryshimi më i dukshëm ishte mënyra e zbatimit të pozicionit jashtë loje: ai vlente vetëm brenda një zone të shënuar, që niste 14 metra nga porta kundërshtare. Ndërkohë, rivëniet anësore kryheshin me këmbë dhe jo me duar, me synimin që futbollistët të kishin më shumë kontakte me topin dhe mundësi për të përmirësuar teknikën.
Trajnerët kishin gjithashtu të drejtën e zëvendësimeve të pakufizuara, në vend të pesë ndryshimeve. Kjo u jepte mundësi të shpërndanin ngarkesën fizike dhe të aktivizonin më shumë lojtarë. Ndeshjet luheshin tetë kundër tetë, në fusha me përmasa 68 me 47 metra, ndërsa portat ruanin madhësinë standarde.
Çdo takim kishte dy pjesë nga 20 minuta. Ekipet mund të regjistronin 14 futbollistë të lindur në vitet 2011 dhe 2012, si dhe deri në gjashtë pjesëtarë të stafit teknik. Mesatarja e golave arriti në 4,83 për ndeshje, ndërsa përballja më e pasur me gola prodhoi 21 të tillë.
Formati garantoi që të gjitha ekipet të qëndronin në garë deri në ditën e fundit. Pas tri ditëve të fazës kualifikuese në grupe, pjesëmarrësit u ndanë në gjashtë kategori, nga A deri në F, secila me fituesin e vet. Nga 189 përfaqësuese, 187 arritën të shënonin të paktën një fitore.
Spanja fitoi kategorinë A, më të fortën e turneut, duke mposhtur Çekinë 3-0 në finalen e 30 tetorit. Në kategorinë B triumfoi Zambia, ndërsa Kroacia u rendit e pesta. Fituesit e katër kategorive të tjera ishin Bjellorusia, Taxhikistani, Republika e Afrikës Qendrore dhe Zelanda e Re.
Arsène Wenger, përgjegjës për zhvillimin global të futbollit në FIFA, vuri theksin te rëndësia e mundësive për të rinjtë. Sipas tij, talenti gjendet kudo, por jo të gjithë kanë të njëjtën qasje në kushte zhvillimi. Aktivitete të tilla synojnë t’u ofrojnë lojtarëve ndeshje cilësore dhe kundërshtarë të ndryshëm, për t’i ndihmuar të shfrytëzojnë potencialin e tyre.