Kryefaqja Futboll Everton rrezikon të humbasë Tarkowski për derbin, Moyes në dilemë për apelimin

Everton rrezikon të humbasë Tarkowski për derbin, Moyes në dilemë për apelimin

Derbi i së dielës kundër Liverpool mund ta gjejë Everton pa James Tarkowski. Mbrojtësi përballet me tri ndeshje pezullim pas përjashtimit në humbjen 0-4 ndaj Brentford, duke i shtuar një tjetër shqetësim trajnerit David Moyes.

Nëse ndëshkimi mbetet në fuqi, Tarkowski do të mungojë edhe në përballjet me Aston Villa dhe Fulham. Për derbin, Moyes do të kishte në dispozicion vetëm dy qendërmbrojtës: Jarrad Branthwaite dhe Michael Keane.

Incidenti ndodhi në minutën e 40-të të takimit të së hënës, kur Brentford kryesonte 2-0. Tarkowski ndërhyri me takat e ngritura ndaj Yehor Yarmoliuk dhe arbitri Craig Pawson fillimisht e ndëshkoi me të verdhë. Pas rishikimit të pamjeve në monitorin e VAR-it, ai e ndryshoi vendimin në karton të kuq.

Moyes pranoi se edhe vlerësimi i tij kishte ndryshuar pasi e kishte parë sërish ndërhyrjen. Fillimisht i ishte dukur se mbrojtësi kishte arritur i pari te topi, por pamjet e bindën se këmba e Tarkowski ishte ngritur më shumë seç duhej. Për këtë arsye, trajneri tha se mund ta kuptonte vendimin e arbitrit.

Megjithatë, Everton ende nuk e ka përcaktuar nëse do ta kundërshtojë ndëshkimin. I pyetur për një apelim të mundshëm, Moyes u përgjigj shkurt: “Ende nuk e di”.

Everton synon fitoren e parë ndaj rivalit të qytetit që prej prillit 2024. Mungesa e mundshme e Tarkowski, autor i golit të barazimit në shtesë në derbin e Goodison Park dy sezone më parë, do ta vështirësonte më tej këtë objektiv.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Shfaq më shumë në Futboll

Shiko edhe

CAS i rikthen Senegalit titullin e Kupës së Kombeve të Afrikës

Senegali njihet sërish si fitues i Kupës së Kombeve të Afrikës 2025. Gjykata e Arbitrazhit…