Transferta ndaj Polonisë mund t’i japë fund pritjes së gjatë të Kroacisë për t’u rikthyer në Kupën e Botës në basketboll. Pas mungesës që nga edicioni i vitit 2014, kroatët kanë mundësinë ta sigurojnë pjesëmarrjen në turneun e vitit 2027 që në ndeshjen e parë të këtij grumbullimi.
Skuadra e drejtuar nga Tomislav Mijatovic vjen në takimet e fundit të nëntorit me një bilanc prej shtatë fitoresh dhe vetëm një humbjeje. Në grupin K të kualifikueseve, tri kombëtaret e para sigurojnë biletën për në Botëror.
Përgatitjet nisën të hënën në mbrëmje, kur trajneri zhvilloi seancën e parë me 14 basketbollistë. Mes tyre ishte edhe risia e listës, Lovro Mazalin, për të cilin Mijatovic vlerësoi se e kishte merituar ftesën falë paraqitjeve të tij.
Një dëmtim e ka lënë jashtë këtij grumbullimi Ivan Vranes, vendin e të cilit e ka marrë Antonio Sikiric, i aktivizuar edhe më parë me kombëtaren kroate. Mijatovic u shpreh i kënaqur me punën fillestare të grupit dhe njoftoi se pritet t’i bashkohen edhe Toni Nakic e kapiteni Dario Saric. Ky i fundit, sipas marrëveshjes me trajnerin, do të udhëtojë drejtpërdrejt drejt Polonisë.
Mundësia e parë për të vulosur kualifikimin vjen të premten, më 27 nëntor. Kroacia do të përballet me Poloninë në PreZero Arena të Gliwice, në një takim që nis në orën 20:45.
Tri ditë më vonë, kombëtarja kroate do të luajë në shtëpi kundër Holandës. Ndeshja është planifikuar për të hënën, më 30 nëntor, në orën 20:00, në qendrën e basketbollit Drazen Petrovic.